sh-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.
Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara, është i duhuri.
Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Specialja pasi u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.
“Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht”, thotë Bosch.
Ai mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të seantorit Marty.Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.
“Gabimi që ka bërë Qeveria e Kosovës ka qenë se nuk kanë krijuar grupin e tyre hetues, nuk e kanë bërë pas raportit të Marty. Ata është dashur të thonë, kjo është marrëzi, por ne do të krijojmë një grup hetimi, ata nuk e bënë këtë”, thotë diplomati holandez.
Bosch ngre pyetjen pse duhet të ekzistojë një gjykatë për të hetuar vetëm disa raste dhe të injorohen mbi 13 mijë civilë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Dhe çfarë thotë prokurori, tani flet për 100 raste, sepse sigurisht 100 raste janë shumë, mirëpo nëse kemi midis 16 dhe 12 mijë njerëz të vrarë, pse të kemi një gjykatë të tërë për 100 raste? Çfarë është kaq e rëndësishme për këto 100? Pra, 15 mijë minus 100 raste, a nuk ia vlen të hetohen, është pak e çuditshme”, thotë ish-ambasadori holandez.Bosch thotë se puna me këtë gjykatë nuk do të duhej të vazhdonte pasi prokurori amerikan Clint Williamson kishte nxjerrë raportin në të cilin vërtetoi se nuk ka dëshmi për trafikim të organeve.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë flet edhe për situatën aktuale në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas tij kjo e fundit një ditë do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Ai thotë se në Serbi nuk ka liri të shtypit, rrjedhimisht propaganda është shumë e zhvilluar dhe njerëzve u transmetohet sikur serbët në Kosovë nuk trajtohen mirë.
Në Gjykatën Speciale në Hagë të martën fillon paraqitja e provave në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës.
Gjykimi i madh pritet të marrë disa vjet meqë prokuroria ka paralajmëruar qindra dëshmitarë që do të flasin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.