Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar 1-1 në udhëtim te Izraeli në ndeshjen e parë të Grupit I në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Dardanët e kanë nisur pozitivisht aventurën kualifikuese pasi ishin afër të merrnin fitoren në ‘Bloomfield Stadium’ të Tel-Aviv.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, por me Kosovën që gjeti golin e vetëm.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 36-të dhe ishte Eli Dasa, i cili shënoi autogol për 0-1, falë një depërtimi dhe harkimi të Milot Rashicës.
Në pjesën e dytë, Kosova filloi më furishëm, por vendasit më vonë u kthyen në lojë duke gjetur golin e barazimit.
Në fakt, Dardanët shënuan të parët në minutën e 49-të me anë të Rashicës, por goli i tij u anulua pas rishikimit të VAR-it.
Pas këtij goli te Kosova pati një pakujdesi dhe këtë e shfrytëzuan më së miri vendasit duke gjetur golin e barazimit 1-1 me anë të Dor Peretz (56’).
Pas golit të barazimit u zhvillua lojë e barabartë nga të dyja skuadrat, por raste më të mira pati Kosova.
Ishte minuta e 84-të kur Arbër Zeneli pati një rast të mirë pas asistimit të Vedat Muriqit, por dështoi t’i ndryshoj shifrat, ndërsa Rashica (90+) nga tri apo katër metra dërgoi topin mbi portë dhe ndeshja u mbyll 1-1.
Pas këtij barazimi, Kosova zë vendin e dytë me një pikë, po aq sa ka Izraeli i treti.
Në ndeshjen e ardhshme, Dardanët e presin Andorrën në Prishtinë, ndërsa Izraeli udhëton te Zvicra. /Telegrafi/