Kosova e ka kaluar të hënën fazën e parë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pavarësisht prej përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar procesin.
Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtete anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave vendosi që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
Me këtë vendim, Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, njoftoi të hënën ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Gërvalla e quajti hap historik vendimin e sotëm dhe “më të rëndësishmin që pas pavarësisë së vendit”.
“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi ajo.
Gërvalla theksoi se mbetet ende shumë punë për të bërë, dhe se procesi i anëtarësimit do të jetë i gjatë dhe me sfida.