Kosova ta kuptojë se nuk është në gjendje të diktojë politikën amerikane

0
110

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, thotë se është inkurajues qëndrimi amerikan se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Spahiu thotë se Kosova duhet të kuptojë se nuk është në gjendje të diktojë politikën e shteteve të fuqishme, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është kërkesë e vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar, është  inkurajues fakti se SHBA potencon se Asociacioni nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Të paktën kështu e sheh situatën diplomati Avni Spahiu.

“Është me rëndësi që Shtetet e Bashkuara vazhdimisht përsërisin se ky asociacion nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë kompetencë ekzekutive, prandaj kjo është megjithatë inkurajuese dhe nuk rrezikon raportet me Amerikën, sepse SHBA-ja ka qenë dhe mbetet partneri kryesor i Kosovës”, tha Spahiu.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Spahiu shprehet skeptik për sa i përket zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, pasi pala serbe ka qëndrim të kundërt me atë çfarë përmban marrëveshja.

“Deri më tani, por edhe gjatë dekadës së kaluar, shteti serb nuk ka bërë asnjë koncesion sado të vogël ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës. Presidenti serb vazhdon të pohojë  se nuk do ta njohë asnjëherë shtetin e Kosovës, atëherë ku është esenca e marrëveshjes që bashkësia ndërkombëtare vazhdon të kërkojë që të realizohet” , thotë ish ambasadori Spahiu. Më tej, ai shpjegon se mentaliteti hegjemonist serb është shqetësues për procesin e dialogut.

“Kosova vazhdon të pohojë se normalizimi nënkupton edhe njohjen reciproke. Dhe, ky është qëndrimi përfundimtar i palës kosovare. Një qëndrim që thërret për një njohje të realitetit të krijuar në Kosovë nga ana e Serbisë dhe krijimin e raporteve krejtësisht të reja. Megjithatë mentaliteti hegjemonist serb vazhdon të jetë i njëjtë aq më tepër i inkurajuar nga Rusia – e cila e ka të vetmin vend partner në Ballkan e ndoshta edhe në Evropë.  Kjo është mjaft shqetësuese edhe për proceset nëpër të cilat po kalojmë në kuadër të dialogut.”, tha ai.

Për sa i përket deklaratave të liderëve kosovarë se Kosova ka shumë presion nga faktori ndërkombëtar për themelimin e asociacionit, Spahiu tha se Kosova duhet të kuptojë se nuk është në gjendje të diktojë politikën e shteteve të fuqishme.

“Nuk jemi në gjendje që të diktojmë politikën e shteteve të fuqishme siç është SHBA. Ne e kemi partner Uashingtonin dhe duhet të besojmë në mbështetjen e tyre ,aq më tepër kur për sa i përket Kosovës nuk ka pasur ndonjë luhatje nga ana e saj. Çështja e modaliteteve politike dhe diplomatike që përdor Uashingtoni janë për arsye utilitare, d.m.th të momentit, që dëshirojnë me çdo kusht ta kthejnë Serbinë në kuadër të Evropës dhe ta shkëpusin nga Rusia. Ne e kuptojmë këtë! Mirëpo, jam i bindur se edhe bashkësia ndërkombëtare së shpejti do të zhgënjehet dhe do të shohin se sa e kot është një përpjekje e tillë”, tha ai.

Spahiu beson se pala kosovare shpejt do të prezantojë një draft lidhur me asociacionin, meqë tashmë ka dhënë si ide modelin kroat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here