Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook përpara takimit Kurti – Vuçiq më 27 shkurt në Bruksel.
Ai ka thënë se të hënën nuk do të ketë marrëveshje finale mes dy shteteve me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Sipas tij, në këtë datë do të shënohet fillimi i një faze të re të procesit të dialogut ku njohja s’do të jetë më temë diskutimi.
“Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.”, tha Krasniqi.
Më tutje, ai ka thënë se pavarësisht nga takimi i së hënës, Kurti tashmë e ka pranuar planin e Bashkimit Evropian, e që sipas tij nuk përmban asnjë përfitim konkret për Kosovën.
“Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi.”, ka shkruar Krasniqi.
Për më shumë, Krasniqi shprehet se fokusi ndërkombëtar është në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër.”, tha Krasniqi.
Ky është postimi i plotë i Krasniqit:
Të hënën, në Bruksel, nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundrazi, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.
Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.
Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi.
Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër. /Paparaci.com/