Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.
Përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ai i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe Presidentes që të reflektojnë, të rreshtohen me aleatët për ta përmbyllur njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë.
“Vetëm të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja finale me Serbinë”, shkroi Haradinaj
Reagimi i plotë:
Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes!
Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot.
Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin.
Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë.
Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces!