Gjuhë të ashpër ka përdorur kryeministri Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili nga Këshilli Prokurorial është përzgjedhur kryeprokuror i shtetit.
Kurti e ka akuzuar Prokurorinë dhe ka sulmuar Isufajn, duke ia bërë të ditur se atë nuk e dëshiron në pozitën e kryeprokurorit.
Një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, kryeministri e ka akuzuar Prokurorinë se nuk i ka hetuar keqpërdorimet, që, sipas tij, janë bërë në të kaluarën në KEK.
Prokurorinë e sulmuan edhe ministrja Artane Rizvanolli e deputetët e partisë në pushtet që udhëhiqet nga Kurti, Halil Thaçi, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi e Adnan Rrustemi, duke thënë se arrestimi i Krasniqit është hakmarrje e Blerim Isufajt që nuk po dekretohet si kryeprokuror.
Por, sipas shoqërisë civile, sulmet e tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe presion në punën dhe pavarësinë e prokurorisë.
Duke kritikuar ekzekutivin për standarde të dyfishta, monitorues të sistemit të drejtësisë, theksojnë se i vetmi reagim i Qeverisë, do të duhej të ishte shkarkimi i Krasniqit.
“Qeveria është dashur të reagojë dhe reagimi të jetë shkarkimi i Krasniqit, për faktin që sa ka qenë në opozitë. LV-ja e ka ngritë parimin se me hajna nuk ka shtet dhe se të dyshuarit për korrupsion nuk duhet marrë pozita, andaj për këtë shkak ai duhet të shkarkohet”, tha analisti Arton Demhasaj.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me sisteme të ndara, sistemi duhet të veprojë në mënyrë të pavarur. Deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin, por duhet të kërkohet luftimi i kësaj vepre”, tha ERANDA ZEKAJ nga IKD.
Ndaj deklaratave të kryeministrit e zyrtarëve të Vetëvendosjes ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial, duke thënë se ka konstatuar se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial.
“Sa i përket rastit “Sopa”, është e vërtetë që z. Blerim Isufaj ishte prokuror i rastit në fazën fillestare të hetimeve, porse ju informojmë se ndërkohë këtë rast e ka marrë në trajtim një prokuror tjetër dhe është mirë që të pyetet prokurori i rastit, sepse vetëm ai mund të japë përgjigje adekuate. KPK-ja demanton deklaratat e pavërteta se ka pasur raste edhe me herët, por kinse nuk janë trajtuar, pra kjo deklaratë rezulton të jetë e pavërtetë dhe natyrisht se edhe për këtë rast, nëse ka informata të tilla, le të deklarohen ato publikisht dhe të dihet se cili rast ishte dhe kush e ka trajtuar atë”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial i Kosovës.
Kurti e deputetët e tij akuzuan Isufajn, i cili është prokuror i rastit rreth hetimeve për keqpërdorime në KEK, ku nën dyshimin për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare, u arrestua kryeshefi ekzekutiv Nagip Krasniqi.
Krasniqi i cili u emërua në këtë pozitë në Qeverisjen Kurti 2, në tetor të vitit 2021, ishte më parë drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. /atvlive.tv