Kryeministri Albin Kurti do ta pres sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, raporton Express.
Sipas njoftimit të ZKM’së, takimi do të mbahet në orën 16:00.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Lord Stuart Peach, i Dërguar i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar edhe ardhjen e Emisarëve të ShBA’së, Gjermanisë dhe Francës.
Osmani ka thënë se ata pritet të vijnë në pjesën e parë të janarit, për të dhënë përgjigje lidhur me pyetjet që ajo ka parashtruar rreth planit franko-gjerman.
“…për të gjitha këto çështje që i kam shtruar, do të marrim përgjigje nga ana e emisarëve të tyre, nga këshilltarët respektivë, të cilët po besoj që në pjesën e parë të janarit do të vijnë në Kosovë dhe po besoj që të gjitha këto shqetësime që i kemi, t’i sqarojnë. Emisarët e Gjermanisë dhe Francës, por që besoj që në atë takim do t’u bashkohet edhe Emisari i ShBA’së, sepse për ne prezenca e Shteteve të Bashkuara është esenciale në këto takime”, kishte deklaruar Osmani në Klan Kosova.