Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e 27 shkurtit nuk do të diskutohet për Asociacionin dhe se nuk duhet të shihet vetëm interesi i njërës palë.
Ai është shprehur optimist se brenda këtij viti do të arrihet marrëveshje me Serbinë.
Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, thotë për Gazeta Blic se vullneti i Kosovës është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare dhe se Kosova është palë konstruktive, ndërsa që pala serbe është destruktive.
“Vullneti ynë është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Po kontribuojmë në dialog si palë konstruktive dhe aktive. Natyrshëm duke mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare. Është pala serbe e cila po tenton të bëjë obstruksione të ndryshme duke u bërë palë destruktive jo vetëm në dialog, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë”, thekson ai.
Sipas Batushës, nuk ka pengesa për shtyrje të mëtutjeshme, nëse ka vullnet për respektim të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe respektim të kushtetueshmërisë së Kosovës.
“Nëse ka vullnet për respektim të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe respektim të kushtetueshmërisë së Republikës së Kosovës, ku përfshihet edhe njohja reciproke, unë nuk shoh pengesa për shtyrje të mëtutjeshme”, vlerëson deputeti i VV-së.
Ai shprehet se nuk ka vend për befasi e spekulime dhe se qëndrimet janë të qarta për sovranitet, integritetit territorial dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Qëndrimet tona janë të qarta për sa i përket respektimit të sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës. Andaj, nuk ka vend për befasi apo spekulime”, deklaron Agon Batusha./Gazeta Blic/