Shala rendit “shkeljet” e MINT-it, kërkon shkarkimin e ministres Hajdari
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Shala ka theksuar se nëse Qeveria nuk reagon për situatën në këtë ministri, nënkupton se dikush i fuqishëm qëndron prapa keqpërdorimeve.
“Do t’i radhis disa nga shkeljet e kësaj ministre. Projekti i Bankës Botërore në vlerë prej 15 milionë euro i keqmenaxhuar juridikisht dhe operacionalisht. Skandali i radhës është skandali i Dubait për artefaktet. Emërimi dhe shkarkimi i 7 sekretarëve permanent. Angazhimi i ekspertëve me pagesë 1000 euro ditën. Nënshkrimi i jashtëligjshëm i kontratës për investitorin strategjik. Zhvlerësimi i rregullores për investime strategjike. Asnjë rezultat në këtë sektor. Keqmenaxhimi i rezervave shtetërore. Keqmenaxhimi i vajit ushqimor. Rreth 200 mijë litra vaj të kontraktuara nuk janë ardhur në Kosovë ende për rezervë shtetërore. Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria për mosdeklarim të pasurisë është shkelja e radhës. 500 mijë kopje të gazetës franceze. Rritja e importit si asnjëherë më parë nga Serbia. Nuk është vetëm çështje opozitare, është ekonomike është çështje sociale. Çka duhet të ndodhë tutje që kjo Qeveri të marrë masa. Aferat e tilla të cilat po heshten na kanë sjellë deri te një inflacion e import kaq i madh. Ju kërkoj që të debatojmë hapur dhe të nxjerrim bashkë një rezolutë që na nxjerr nga kjo situatë. Nëse pas sotit kryeministri Kurti dhe mazhoranca nuk reagon atëherë dikush i fortë po qëndron prapa këtyre keqpërdorimeve milionëshe”, ka thënë Shala.
LDK: Ministrja Hajdari duhet të japë dorëheqje
Ajo ka thënë se ministrja Rozeta Hajdari duhet të japë dorëheqje për “skandalet” në MINT.
“Ministria e Industrisë në kohën më të keqe nuk e ka treguar veten në asnjë mënyrë në kohën e inflacionit. Dështoi në çdo fushë. S’ka vizion, nuk ishte as në anën e tregtarëve as të konsumatorëve por në anën e militantëve të saj. As nuk u tërhoq ministrja, as nuk kërkoi falje. Le të shërbehemi me të gjeturat e Auditorit ku përmenden; Prezantimi jo i plotë i pasurisë, klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve. Është e drejtë morale dhe moralisht kjo ministre duhet të japë dorëheqje për skandalet e bëra në këtë ministri”, ka thënë Bunjaku.
Lekaj e quan MINT-in ministri të paaftësisë
Sipas Lekajt kjo Ministri nën udhëheqjen e ministres Rozeta Hajdari, nuk do të mbahet mend për asgjë.
“Ne si spektër politik dhe qytetarët jemi pajtuar që emri i Ministrisë suaj e ka emrin ministria e paaftësisë. A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur të largoheni nga kjo pozitë për çfarë do të mbaheni mend? Nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime të zbusni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën në këto dy vite. Askund nuk u pa ndihma e shtetit në inspektim drejtësi e ndihmë për qytetarët”, ka theksuar Lekaj.
Tahiri: Ministrja Hajdari e ka mision keqpërdorimin dhe abuzimin
Ai ka thënë se ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari është dënuar për mosdeklarim të pasurisë.
Tahiri ka thënë se një prej skandaleve më të mëdha janë rezervat shtetërore.
Sipas tij, procedurat që janë klasifikuar si sekret shtetëror janë të dyshimta.
“Sa është blerë, si është blerë, procedurat nuk mund të jenë sekrete shtetërore. Këta kanë gabuar, kjo e ka bërë një vepër penale goxha të rëndë që do të ballafaqohet me ligjin. Një furrë buke ka qenë ndërmjetësuese për të blerë grurë nga një kompani ndërtimi në Turqi. E kemi çështjen e rezervave të vajit. Prandaj, kjo ministre ballafaqohet me një mori keqpërdorimesh dhe padyshim për të gjitha do të ndiqet penalisht. Më 2022 Ministria i ka pasur 18 projektligje në agjendë vetëm një ligj i ka kaluar më lexim të parë dhe tjetri për çmimet tavan që i ka përfunduar në Kushtetuese. Kjo e tregon efikasitetin e kësaj ministrie. Kjo ministre i ka blloku diku 775 milionë euro në energjinë e ripërtrishme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se për dy vjet e gjysmë nuk mund të flitet për asnjë sukses të vetëm të kësaj ministrie.
Ka shtuar se mision e ka keqpërdorimin dhe abuzimin.
Hajdari – opozitës: Ju shpifni, por nuk argumentoni
Hajdari ka thënë se vazhdimisht po përmenden skandale, por se nuk po jepen argumente.
“Thoni që ka skandale të vazhdueshme, a janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale sepse kemi pasur një auditim. Për projektin e Bankës Botërore, ka qenë projekt huamarrje nga Qeveria për bizneset. Ju shpifni që ne kemi dhënë para për Dubai dhe kjo është shpifje sepse nuk ka ndodhur asnjëherë. Ju shpifni por nuk argumentoni. Duhet të thoni konkretisht çka kemi bë skandal në Dubai”.
Hajdari ka sqaruar tutje për rastet e përmendura paraprakisht në Kuvend nga opozitarë.
“Emërimi dhe shkarkimi i shtatë sekretarëve permanentë, ju i pasket gjetë shtatë, unë e di që janë më pak. Unë nuk kam asgjë personale me asnjë zyrtar. Angazhimi i ekspertëve, 1000 euro ditën. Po i nderuar 1000 euro ditën, por a keni pasur ndonjëherë politikë industriale për Kosovën, asnjëherë”.