Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ndaj Serbisë nuk ka asnjë pritje sa i përket mosnënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Osmani për dakordimin e arritur dhe aneksin e marrëveshjes bazë të arritur në Ohër dje, ka thënë se Kosova është dëshmuar se është e vetmja palë që është treguar konstruktive dhe e interesuar për paqe dhe stabilitet.
Ajo ka shtuar se Serbia do të vazhdojë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet.
“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se nëse dëshirohet zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme.