Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore e madhe për shtetin e së drejtës. Kësisoj, ai e vlerëson si fitore të opozitës ndaj pushtetit, raporton Ekonomia Online.
Ish-ministri i Drejtësisë, ka thënë se nuk do të lejojnë që pushteti t’i kap institucionet e drejtësisë në vend.
“Do të vazhdojmë të punojmë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe moskapjen e institucioneve nga pushteti”, tha ndër të tjerash Tahiri.
Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.