Ka përfunduar protesta e organizuar nga Partia Socialdemokrate kundër Gjykatës Speciale pas dënimit prej 26 vjetësh që i dha javën e kaluar ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Në protestën e thirrur nga PSD-ja morën pjesë qytetarë, veteranë të UÇK-së dhe familjarë të tyre dhe deputetë.
“UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “Gjykatë Speciale-Padrejtësi Speciale”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar”, ishin disa nga pankartat që qytetarët mbanin në duar.Kujtojmë se protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, e cila vazhdoi te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet.
Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, kërkoi nga Kuvendi që ta ndryshoj Ligjin për themelimin e Dhomave të Specializuara.
Në protestën e thirrur nga PSD kundër kësaj gjykate, Klinaku tha se dënimi i Salih Mustafës u bë me dosje të përpiluara nga Serbia dhe në emër të popullit.
“Po protestojmë kundër padrejtësisë së shqiptimit të dënimit të parë nga kjo gjykatë që është ndaj Salih Mustafës-Calit me 26 vite burg. Dënim ky me doje të përpiluara nga Serbia dhe në emër të popullit për vrasjet që i ka bërë pushtuesi serb. Çfarë dënimi absurd”, tha Klinaku.