Përgjimet/ Shpallet në kërkim edhe njeriu që do vriste Albin Kurtin

0
773

Në një nga emailet e ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano që u publikua nga hakerat iranianë ra në sy një informacion për vrasjen e mundshme të Albin Kurtit.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një snajperist nga Shqipëria.

Në dokument shkruhej se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

I dyshuari ishte Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument thuhej se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe dyshohej se ishte përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi.

Prekë Kodra, pjesë e kontratave të vrasjeve me pagesë

Por në dosjen e SPAK që çoi në goditjen e një grupi të sofistikuar kriminal në Shkodër, duket se është përfshirë edhe Prekë Kodra që është shpallur në kërkim nga SPAK. Ende nuk dihet roli i tij konkret, por nga bisedat e zbuluara në aplikacionet Encro dhe Sky, porositësit e vrasjeve flisnin lirshëm për punët e tyre, përfshirë bisedat me prokurorin e arrestuar të Kukësit, Xhevahir Lita apo ish shefin e operacionales Oltion Bistri.

Mes të arrestuarve dhe personave të shpallur në kërkim janë edhe disa nga kokat e krimit në veri si Pëllumb Gjoka apo Behar Bajri.

Ndërkohë, sipas të dhënave të policisë Prekë Kodra jetonte në Shkodër, ndërsa vepronte në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai ka qenë i shpalurl në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Kodra konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë.

Atentatet për destabilizimin e Kosovës

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha.

Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje.

Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve ishte destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muaj.

Intervista e Prekë Kodrës në mediat e Kosovës

Por kur doli informacioni i Njësisë kundër Terrorizmit të Kosovës, Kodra reagoi duke thënë se Albin Kurtin e ka parë vetëm në ekranet televizive, ndërsa për deputetin Xhavit Haliti dhe Ismet Haxhën, ish-pjesëtarin e UÇK-së, thotë se “as ka dëgjuar më parë”.

Në emisionin Pressing, në T7, të mërkurën Kodra ka mohuar gjithçka rreth akuzave në drejtim të tij.

“Ç’ka me spjegu, se është diçka që vetëm kanë shpik sikur kanë shpik persona të paidentifikum për mu, Albin Kurtin e njoh vetëm përmes televizionit, unë nuk e njof dhe nuk kam asnjë lidhje në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Më vjen keq, më keni akuzu, po më merrni në qaf mu edhe familjen teme”, ka thënë ai.

Pas raportimeve, Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kishin marrë informacion nga Agjencia e Inteligjencës Kosovare (AKI).

Policia e kishte ndaluar Prekën teksa ai kishte hyrë në kufirin e Kosovës.

Nuk më ka pyet kërkush nga policia për këtë gjë. Mua më kanë ndalë në Kosovë para një viti në Doganë. Kam qenë duke shku në Kosovë me ble një kamionçinë për ndërmarrjen time. Kur më kanë ndalu kam qenë më makinën e vajzës time. Më kanë marrë dokumentat, më kanë thënë, a ka mundësi me zbrit dhe më kanë mbajt aty nga ora 2 pasdite deri në 11 të darkës, as nuk më tregojshin pse jam ndal. Më kanë nxjerr paret, më kanë thonë a ke gjë me veti. I kom thonë po kam 15 mijë euro me veti. Më kanë dërguar në Prishtinë, tek departamenti i kirmeve të rënda, atje më kanë marrë në pyetje dhe unë nuk kuptojsha mirë se për cka bëhej fjalë. Më thanë se dyshohesh për falsifikim të parasë. Unë isha i sigurt që paratë ishin të pastërta”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kodra ka thënë se Kurti, Haliti dhe Haxha duhet të qëndrojnë të qetë.

Ata personat që ua kanë përmend emrat… se mos po iu mbytë ai shaljani prej Dukagjinit, thuajuni të rrinë të qetë sepse unë s’i njoh e as s’i di e s’kam punë fare me ta. Edhe po të jetë nevoja, shkoj e i takoj nëpër shpija e ju vij në rrugë nëse ata ndihen të kërcënuar nga unë, unë u vij në rrugë me zakone të Dukagjinit e të zonave të Malësisë së Gjakovës, si i din edhe ata rregullat. Këto janë shpifje, janë intriga. Kush ka punë me mua më del ballë për ballë e m’i thotë gjërat në sy, jo pas shpine. Unë jam një njeri që s’kam prekur në besë kurrë edhe nuk kam punë, as telashe as kurrë një gjë të hapur me kurrë një njeri”, ka thënë ai./Lapsi.al

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here