“Politico”: Si u bë kryeministri i Kosovës “mik-armik” i zjarrtë i Amerikës?

0
197

 

Matthew Karnitschnig, “Politico”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka arritur të pamundshmen në politikën amerikane: konsensusin mes demokratëve dhe republikanëve

 

Fatkeqësisht për Kurtin (dhe për vendin e tij), pika e marrëveshjes është që udhëheqësi i Kosovës është një politikan kokëfortë dhe, nganjëherë, i pamatur, që e ka minuar përpjekjen e përbashkët ShBA – Evropë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Uashingtoni ia ka hedhur fajin drejtpërdrejt Kurtit për shpërthimin e dhunës rishtazi mes autoriteteve të Kosovës dhe komuniteteve me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit dhe është përpjekur – deri më tani pa sukses – që ta kufizojë me kritika publike. Konflikti, i cili ka të bëjë me statusin e ardhshëm të zonave serbe në Kosovën veriore dhe me kërkesën e Prishtinës që Beogradi përfundimisht ta njohë sovranitetin e saj, ka dalë më tej jashtë kontrollit ditëve të fundit. Serbia ka arrestuar tri roja kufitare kosovare dhe Kosova e ka mbyllur pikëkalimin kryesor kufitar për kamionët serbë.

Kritikët e Kurtit e akuzojnë atë për prodhimin e krizës përmes dërgimit të njësiteve paramilitare policore në komunitetet serbe dhe përdorimin e forcës në fund të majit për t’i vendosur kryetarët shqiptarë në rajon, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale.

“Ne kemi çështje shumë themelore me të për atë nëse mund të llogarisim në të si partner”– i tha këtë muaj “Zërit të Amerikës” ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Kjo erdhi pas një shkrimi në “Twitter” më 26 maj nga shefi i tij, sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha: “Ne i dënojmë fuqishëm veprimet nga Qeveria e Kosovës që po i eskalojnë tensionet në veri dhe po e shtojnë jostabilitetin.”

Richard Grenell, i cili ka shërbyer në disa role të larta të politikës së jashtme gjatë administratës së Trumpt, përfshirë rolin e emisarit të posaçëm për bisedime të paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ishte i qartë në vlerësimin e tij, duke thënë javën e kaluar në “Twitter” se Kurti ua ka dhënë “gishtin e mesëm” Bidenit dhe evropianëve.

Përderisa Grenelli ka qenë për kohë të gjatë kritikues i Kurtit, nacionalist majtist, pikëpamjet e të cilit kurrë nuk ishin në linjë me turmën e Trumpit, qortimi publik nga administrata e Bidenit ishte e jashtëzakonshme në disa nivele.

Njëri prej tyre: Kosova ka qenë projekt i parapëlqyer për udhëheqësit demokratë që nga koha kur ish-presidenti Bill Clinton e kishte udhëhequr fushatën e suksesshme të NATO-s më 1999 kundër udhëheqësit jugosllav, Slobodan Millosheviq, i cili ishte në pushtet gjatë kohës së largimit të miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre gjatë spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova. Shumë demokratë e shohin Kosovën si shembull të rrallë të ndërtimit të suksesshëm amerikan të një vendi.

Një nivel tjetër: Hilli është një legjendë diplomatike në Ballkan, pasi ka shërbyer me dekada në rajon, ndërsa roli më i rëndësishëm i tij ishte si njëri nga arkitektët e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë më 1995. Nëse ndokush e kupton shkallën e ndikimit negativ të Serbisë në rajon ndër vite, ai është Hilli. Prapëseprapë, diplomati veteran la pak dyshim në pikëpamjen e tij se Beogradi nuk kishte faj për eskalimin e fundit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe qeveria e tij “janë partnerë të mirë në këtë proces”, tha Hilli.

Edhe BE-ja, e cila i ka drejtuar bisedimet për “normalizimin” e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, parakusht për të dyja vendet për t’u anëtarësuar në bllok, e ka humbur durimin me Kurtin.

Javën e kaluar, BE-ja tha se do t’i pezullonte vizitat e nivelit të lartë me Kosovën si dhe “bashkëpunimin financiar”.

“Pavarësisht nga thirrjet tona të përsëritura, kryeministri Albin Kurti deri më tani ka dështuar që të ndërmarrë hapa dhe veprime vendimtare për të de-eskaluar”- tha zëdhënësi Peter Stano.

Loja e fajësimit

Deri më tani, Kurti ka treguar pak gatishmëri për t’u zmbrapsur, duke këmbëngulur se refuzimi i palëkundur i Vuçiqit për ta njohur sovranitetin e Kosovës dhe refuzimi për t’i pranuar realitetet e të kaluarës së Serbisë në kohë lufte e kanë fajin për krizën. Kurti thotë se po vepron sipas parimeve, jo me zemërim.

“Ajo që e shohim nga Perëndimi demokratik është një qëndrim i qartë i zbutjes. Kështu arritëm këtu dhe mendoj se është e rëndësishme për BE-në dhe ShBA-në që t’i thonë Vuçiqit që të zmbrapset”- tha Kurti në një intervistë të realizuar rishtazi për mediumin “Politico”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here