Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “është për të ardhur keq” pritja që ai të reagonte pas fitores së Zvicrës kundër Serbisë, pasi dy shqiptarë luanin për helvetikët.
Rama në një konferencë për media sot, tha se ai s’është kryeministër i Zvicrës dhe se nuk është “aspak dinjitoze” që t’i përdorte për politikë futbollistët shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. Këto komente i dha pasi u pyet se pse s’reagoi të premten në mbrëmje.
“Nuk kuptoj realisht se pse duhej të flisja. Unë s’jam kryeministri i Zvicrës. Jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe për një ndeshje të veçantë, çfarë do të bëja konkretisht? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë. Dhe në një mënyrë aspak dinjitoze, për hir të së vërtetës”, tha Rama.
“Sepse është ekipi kombëtar i shtetit tjetër. Dhe do t’i fryeja zjarrit të një nacionalizmi – më falni për shprehjen. Por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme. Nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket që kush e bën këtë, nuk e bën gjënë e duhur”, shtoi ai. /GazetaSinjali/