spot_imgspot_img
spot_img

Rubin: Ne duam njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar

I gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i cenueshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze, por “një pjesë e madhe” e tyre vjen nga Serbia dhe ky është një “problem i madh që duhet të adresohet”, thotë James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit.

Qendra është një organ i Departamentit amerikan të Shtetit, e krijuar për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit.

I pyetur se si e komenton hapjen e Russia Today – organizatë ndërkombëtare e lajmeve e kontrolluar nga shteti rus – në Serbi, Rubin thotë:

“Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media [të tjera] ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen”.

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë gjatë një qëndrimi të shkurtër në Prishtinë, Rubin flet edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, themelues të së cilës po përballen aktualisht me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rubin thotë se qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar ndër vite.

Në ditët e para, kujton ai, SHBA-ja i ka dënuar “aktivitetet terroriste të kryera nga grupet shqiptare”, por me evoluimin e procesit të paqes, thotë se UÇK-ja është bërë qendër e atij procesi.

“UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar”, thotë Rubin.

“Unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja”.

“Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, shtoi ai.

Gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990, Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit amerikan.

Kosova i ka ndarë në vitin 2013 Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rubin, faleminderit që po flisni për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë! Në Kosovë jeni faktikisht vetëm transit. Dje [10 prill] keni qenë në Mal të Zi, tani po shkoni në Maqedoni të Veriut. Çfarë ju ka kthyer në Ballkanin Perëndimor?

James Rubin: Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken më ka kërkuar të marr përsipër një sfidë të re, me të cilën përballet bota. Dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë një disiplinë e re, një kërcënim i ri për botën. Unë jam përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit dhe quhem ‘I dërguar special’. Ajo që përpiqemi të bëjmë këtu, është t’i ndjekim vetë ofruesit e dezinformatave, ta trajtojmë këtë problem rrënjësisht dhe ta zgjidhim, e jo të presim që të thuhen gënjeshtra për Shtetet e Bashkuara, për Perëndimin, të cilat janë përhapur nga portalet në këtë pjesë të botës.

Mendoj se nuk është sekret që në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, ka media që përsërisin gënjeshtrat ruse, dezinformatat ruse, duke thënë gjëra të tilla si ‘në Ukrainë ka armë biologjike’ – kur kjo nuk është e vërtetë dhe është hedhur poshtë si ide edhe nga Konventa e Armëve Biologjike në Gjenevë – apo duke thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë dashur këtë luftë [në Ukrainë] ose e shohin këtë luftë si operacion për të fituar para. Të gjitha këto gënjeshtra dezinformuese, për fat të keq, janë shumë të spikatura dhe shumë të përhapura në Ballkanin Perëndimor.

Kështu që, unë kam ardhur këtu për të biseduar me qeveritë, që të bëjnë diçka në këtë drejtim. E kuptoj që ky është një problem i vështirë dhe nuk është një problem i lehtë. Dhe, nuk jemi të përsosur as ne në Shtetet e Bashkuara. Por, ne duhet të zhvillojmë një kod operativ të sjelljes – nëse dëshironi – një mënyrë për të bërë biznes, të cilën e ndajnë të gjithë, ligjërisht, institucionalisht [dhe] krijon struktura në secilën prej qeverive.

Unë kam biseduar me Qeverinë malazeze për këtë, jo me Qeverinë aktuale, sepse, në fakt, nuk ka një të tillë, por me liderët e ardhshëm. Dhe jam inkurajuar shumë, se të gjithë e njohin këtë problem. Ne do të punojmë me ta si partnerë që të përpiqemi të kuptojmë, së paku, se si ta ndalojmë rritjen e këtij dezinformimi dhe të fillojmë ta kontrollojmë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni të bëjnë ato? Si të ndalet kjo disiplinë?

James Rubin: Para së gjithash, nuk është lehtë. Ne duhet ta pranojmë se ekziston liria e shtypit dhe ne e duam lirinë e shtypit. Por, nëse keni llogari të Qeverisë kineze në mediat sociale, ato duhet të etiketohen si llogari të Qeverisë kineze. Njerëzit nuk duhet të mendojnë se ky është vetëm një kinez i zakonshëm që thotë diçka, ata duhet ta dinë se është llogari qeveritare. Ky është një shembull.

Ne duhet të përpiqemi të sigurojmë që pronësia e huaj e mediave është transparente. Ky është [edhe] një shembull i diçkaje që duhet bërë. Dhe, të vendosen rregulla… Nëse një medium, thjesht, kopjon një gënjeshtër ruse, ata nuk mund të pretendojnë se janë gazetarë. Kjo është diçka tjetër, quhet dezinformim. Dhe, ne duhet të përpiqemi ta ndalojmë këtë.

“Pjesa më e madhe e dezinformatave vjen nga Serbia”

Radio Evropa e Lirë: A është ndonjëri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor më i cenueshëm përballë dezinformimit rus dhe kinez?

James Rubin: Unë mendoj se i gjithë rajoni është i cenueshëm në përgjithësi ndaj problemit, sepse mediat përhapen gjerësisht në rajon nga shumë vende të ndryshme. Natyrisht, një pjesë e madhe e saj vjen nga Serbia. Dhe, ky është një problem i madh që duhet të adresohet.

Por, qeveritë e tjera në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, duhet t’i parandalojnë ose të përpiqen t’i parandalojnë këto gënjeshtra që të përhapen, duke përdorur çdo mjet që munden. Ne do të donim të shihnim që ato krijojnë njësi qeveritare, që mund të fillojnë ta shqyrtojnë dhe analizojnë këtë problem, në mënyrë që ne të mund të përpiqemi ta ndalojmë atë.

Radio Evropa e Lirë: Këtë herë nuk do të udhëtoni në Serbi?

James Rubin: Nuk do të udhëtoj në Serbi me këtë rast. Shikoni, unë jam realist. E di se, duke marrë parasysh të kaluarën time, unë nuk jam ndoshta diplomati më i mirë për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe. Unë jam në dijeni për realitetet e rajonit. Nga ana tjetër, ne kemi një mundësi tani – dhe mund të flasim për këtë në një minutë – ku Serbia dhe Kosova mund të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe ne t’i lëmë pas disa nga këto padrejtësi të së kaluarës.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni hapjen e [mediumit rus] Russia Today në Serbi, vitin e kaluar, dhe përhapjen e dezinformatave prej tij?

James Rubin: Ne nuk do të donim të shihnim Russia Today ose media [të tjera] ruse kudo në botë. Duam që ato të mbyllen. Ato janë mbyllur në pjesën më të madhe të komunitetit evropian.

Mendoj se qeveritë që duan të jenë pjesë e Evropës, duhet të kuptojnë se Evropa ka marrë një qëndrim të guximshëm dhe të fuqishëm kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Ky është rregulli numër një i sistemit ndërkombëtar, që nuk duhet ta pushtoni fqinjin tuaj.

Rusia e ka thyer këtë rregull. Qeveritë që duan të jenë pjesë e Evropës, duhet të kuptojnë se nëse bashkohen me Rusinë, ato i vënë në rrezik marrëdhëniet e tyre me Evropën.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rubin, derisa flasim, mediat ndërkombëtare raportojnë për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme të inteligjencës. Sa e rrezikshme është kjo për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara? A dihet se si ka ndodhur?

James Rubin: Kjo është një prej atyre çështjeve, ku si zëdhënës i Qeverisë amerikane duhet të them se flas me shumë kujdes. Gjithçka që mund t’ju them për këtë, është se kjo është një çështje që duhet ta diskutojë Departamenti i Mbrojtjes. Por – më e rëndësishmja – unë mendoj se tani është çështje e Departamentit të Drejtësisë që ta hetojë këtë informacion.

“Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi i kanë kuptuar ngadalë rreziqet nga dezinformimi”

Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje në lidhje me dezinformimin. Kush e ka avantazhin në këtë pikë – përgënjeshtrimi i dezinformatave nga Perëndimi apo propaganda ruse? Ju keni thënë njëherë se Perëndimi i është përgjigjur ngadalë shfaqjes së Kinës në hapësirën e informacionit.

James Rubin: Nëse duam të jemi realistë, dhe unë jam realist, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi i kanë kuptuar ngadalë rreziqet nga dezinformimi dhe manipulimi i informacionit nga Rusia dhe Kina. Ato kanë shpenzuar miliarda e miliarda dollarë për këtë projekt në fushën e informacionit, për shumë e shumë vite.

Unë mendoj se duhet ta intensifikojmë lojën tonë. Sekretari Blinken më ka kërkuar ta marr këtë punë, sepse ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara ta intensifikojnë lojën e tyre. Sekretari Blinken beson se ky është një kërcënim real dhe domethënës për botën. Dhe, siç e kam theksuar, kjo ndodh çdo ditë në gjithë botën. Kjo është arsyeja përse ai i ka mbështetur aq shumë përpjekjet që po bëj këtu në Ballkan, për ta zgjidhur problemin e dezinformimit rus, jo vetëm për të reaguar, por edhe të përpiqemi t’i japim fund.

Radio Evropa e Lirë: Sa po ndikojnë lajmet e rreme dhe dezinformatat në disa procese në Ballkanin Perëndimor, sikurse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

James Rubin: Jam i sigurt se problemi i informimit ka qenë rrënja e problemeve në këtë pjesë të botës për një kohë shumë-shumë të gjatë. Për herë të parë u bëra i vetëdijshëm për këtë ide të dezinformimit në vitet ‘90, kur dëgjova dhe shikova lajme të sponsorizuara nga qeveria për grupe të ndryshme etnike, të cilat ishin të dizajnuara për ta zemëruar njëri-tjetrin, të dizajnuara për të zhvilluar urrejtje mes njëri-tjetrit dhe ne i pamë pasojat e kësaj dhe luftërat e tmerrshme të kësaj pjese të botës.

Pra, ka nga ata që nuk duan të shohin marrëdhënie të normalizuara midis vendeve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Ka nga ata që nuk duan t’i shohin vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe të bëhen pjesëmarrës normalë në institucionet evropiane. Sigurisht që kjo [anëtarësimi në BE] nuk është diçka që politika e jashtme e Kremlinit është krijuar për ta arritur, [ajo] është krijuar për ta arritur të kundërtën.

Kështu që, unë do t’i bëj thirrje kujtdo në këtë pjesë të botës që dëshiron të shohë një të ardhme për fëmijët e tyre dhe të shohë një të ardhme më të ndritshme për vendin e vet, të punojnë së bashku si shoqëri, për t’u dhënë fund gënjeshtrave që prodhojnë vetëm urrejtje mes komuniteteve.

Radio Evropa e Lirë: Do të qëndrojmë në temën e dialogut edhe pak. Kosova dhe Serbia së fundmi janë pajtuar për një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila nuk parasheh njohje reciproke. A mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje zyrtare?

James Rubin: Më lejoni të them vetëm se si një amerikan që flet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne duam të shohim njohje reciproke, ne besojmë se kjo është rruga e duhur e veprimit. Megjithatë, si realist, si diplomat, dua të them se jam i inkurajuar që procesi që ka zhvilluar Bashkimi Evropian ka mundësinë t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e NATO-s, të lejohet Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Këta do të ishin hapa të mëdhenj përpara për këtë vend për të cilin kam një ndjenjë të veçantë dhe një dashuri të veçantë.

Dhe, mund të mos i arrijë të gjitha objektivat që mund t’i dëshirojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose që mund t’i dëshirojë populli kosovar, por nëse mund të arrijmë të njihen simbolet e sovranitetit të Kosovës në atë kuptim; nëse mund të arrijmë marrëdhënie normale dhe shkëmbime ambasadash dhe të gjithë hapat e nevojshëm për t’i bërë vendet ta trajtojnë njëra-tjetrën normalisht; dhe nëse Serbia nuk e bllokon më ose nuk mund ta bllokojë Kosovën që të mos jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të jetë pjesë e institucioneve evropiane, atëherë mendoj se populli i Kosovës do të ketë arritur diçka shumë më tepër sesa që mund të shpresojë dhe ka shpresuar për një kohë të gjatë.

Kështu që, unë do t’i nxisja njerëzit që shikojnë, ta theksojnë pozitiven. Nuk është e përsosur. Në këtë biznes, ne nuk mund të lejojmë që e përsosura të jetë armikja e së mirës dhe mendoj se do të jetë një lajm i mirë për popullin e Kosovës nëse vendi i tyre është pjesë e Evropës në kuptimin institucional, pjesë e NATO-s, pjesë e institucioneve të Perëndimit, edhe nëse nuk arrihet rezultati i përsosur i njohjes.

“Liderët e Serbisë duhet të mësohen me idenë se s’do t’i marrin të gjitha që duan”

Radio Evropa e Lirë: Në fakt, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është diçka që Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, tha se nuk do ta zbatojë, nuk do ta mbështesë. Kështu tha ai, pasi u arrit marrëveshja. Gjithashtu, ai në njëfarë mënyre mbështetiListën Serbe në veri të Kosovës që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës për katër komunat në veri. Ai paralajmëroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do që ta sundojë veriun dhe njerëzit atje do të jenë nën okupim. Si po kontribuon kjo në normalizimin?

James Rubin: Unë do t’i shmangem futjes në disa prej këtyre detajeve sepse, ndryshe nga kohët e vjetra kur e studioja këtë rajon me shumë kujdes dhe punoja në disa nga problemet shumë afër, nuk jam i njohur me të gjitha deklaratat që i bëtë.

Megjithatë, besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që, nëse liderët e Serbisë duan ta shohin vendin e tyre pjesë të Evropës, pjesë të Bashkimit Evropian, pjesë të NATO-s, ta kenë mundësinë për të qenë një e ardhme më e mirë për popullin e tyre, ata duhet të mësohen pak me idenë se nuk do t’i marrin të gjitha gjërat që duan dhe ndoshta duhet të bëjnë më shumë për ta ndërtuar mbështetjen për një marrëveshje që në të vërtetë nuk është mes Kosovës dhe Serbisë.

Anët teknike të kësaj janë disi të komplikuara, por këto janë marrëveshje që do të ishin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Dhe, Serbia nuk do të ishte në pozitë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kjo do të ishte në duart e vendeve të Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me lidershipin e Bashkimit Evropian për të arritur një rezultat që nëse Kosova i kryen, i respekton zotimet në këtë dokument, Bashkimi Evropian do të vendosë ta sjellë Kosovën [në BE], pavarësisht nëse Serbia do ta preferonte apo jo.

“UÇK-ja, qendër e procesit të paqes për Kosovën”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rubin, do të kalojmë te një temë tjetër. Njerëzit në Kosovë ju njohin nga angazhimi juaj gjatë luftës në Kosovë. Si e shihnit në atë kohë rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK)?

James Rubin: Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për UÇK-në evoluoi. Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare. Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë.

Shumë e shumë shqiptarë do të kishin vdekur.

Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite.

Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë.

Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe.

Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Tani, Hashim Thaçi dhe themelues të tjerë të UÇK-së po akuzohen se ishin anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me qëllimin e përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën përmes mënyrave të ndryshme. Si e komentoni këtë?

James Rubin: Unë, thjesht, nuk kam asnjë koment për këtë.

Op/Ed

Moratoriumi është një fitore politike e koalicionit “Vlen” në qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Nga Astrit Gashi Moratoriumi për çështjet etnike, i propozuar...

Nga konferenca për Integrimin e Ballkanit dhe vendeve kandidate në Bashkimin Evropian (BE), siguria në BE

Hisen Berisha / Budapest Në kuadër të konferencës ndër-parlamentare për...

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I...

Abonohu

Të sponsorizuara

Bakllava i ndihmon burrat që të jenë më të mirë në seks

Derisa burrat fillojnë të plaken, është e domosdoshme që...

8 arsye pse nuk jeni të lumtur në punë

Puna duket se nuk po ju ecën edhe aq...

Spanja ”pushton” Shqiperinë, gjiganti turistik parashikon rritje me 500%

Shqipëria do të jetë një nga destinacionet e huaja...
spot_img

NUK E KEMI NDËRMEND TË NDALEM

Mexhiti: Lufta me perandorinë e bixhozit është e vështirë, por ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi! Mbyllja e kazinove sipas zëvendëskryeministrit të par Izet...

Diego Simeone kritikon Courtoisin

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka përmendur sjelljen e Thibaut Courtois mes skenave kaotike që u shkaktuan mbrëmë (e diel) në ‘Estadio Metropolitano’. ‘Los...

ZPS për dëshmitarin e 92-të: Ka qenë i ndaluar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka...