Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në Hagë, në fund të fjalës së ekipit të tij mbrojtës, ku kanë thënë se viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen, transmeton atvlive.tv.
“E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemeli i paqes. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Do të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari. Edhe unë si shumë tjerë, u ktheva për të ndihmuar në vendin tim”, tha Thaçi.
Ai tha se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të thjeshtë që përpiqeshin të mbronin shtëpitë, familjet dhe vendbanimet e tyre.
“Ata luftuan, dhe shumë vdiqën si heronj. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën më të dashurit tyre. Kundërshtarët tanë ishin policia dhe ushtria serbe të kalitur në fushatën e tyre në Bosnje. Si rezistenca paqësore dhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim, lirinë e demokracinë. Pa atë rezistencë, Kosova nuk do të ekzistonte fare. Qytetarët donin paqë, nuk donin luftë, lufta iu imponua”, theksoi ish-presidenti Thaçi.
Fjalimin e plotë të ish-presidentit Thaçi mund ta dëgjoni në videon e më poshtme.