Sot, në ambientet e Kishës Shën Abrahami në Llapushnik u mbajtën Takimet e Qershorit, të shtatat me radhë, që këtë vit iu kushtuan Jeronim de Radës, figurës qendrore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Takimet i hapi nikoçiri don Fran Kolaj, vikar ipeshkvnor, i cili të pranishmëve iu dëshiroi mirëseardhje. Për jetën dhe veprën e de Radës u lexuan gjashtë kumtesa: Françesko Altimari ( në mungesë të tij, kumtesën e lexoi Edlira Zeka ), Don Lush Gjergji, Prof. Dr. Gjon Berisha, Bekim Kelmendi, prof. Prend Buzhala dhe prof. Hamdi Thaçi.
Nga 54 poezi, që ishin në konkurrencë, Juria Profesionale në përbërje:
Maxhun Osmanaj ( kryetar ),
Drita Syla – Kosumi ( anëtare ) dhe
Ramë Oraca ( anëtar ),
vlerësoi poezitë më të mira sipas kësaj renditje:
Vendi i parë: Sarë Gjergji
Vendi i dytë: Ajne Ibërhysaj
Vendi i tretë: Hajdin Morina
: Skënder Zogaj
Çmimi “ Hiyeronimus” nga Shtëpia Botuese dhe Zyra për Përkthime të prof. Dodë Ndrecaj iu nda pjesëmarrësit më të ri të këtij eventi, Erin G. Sopi, me qëllim motivimi.
Pjesëmarrësit dhe organizatori i vlerësuan si të suksesshme këto Takime me dëshirë për t’u takuar sërish vitin e ardhshëm në Sallën e re të Kulturës, e cila do t’i plotësojë kushtet teknike për mbarëvajtjen e eventeve të ngjashme në të mirë të të gjithëve.
Faleminderit Edlira Qefalija Zeka për moderimin e shkëlqyeshëm. Rastisi që Eda ta ketë sot datëlindjen, me të cilën e festuan së bashku krijuesit që ishin prezent në Takimet e Qershorit! Gëzuar!
Eventin e pasuroi interpretimi i disa pikave muzikore nga Genc Krasniqi.
Në fund, të pranishmit patën mundësi ta vizitojnë ekspozitën e Elira Berishës dhe nxënëses së klasës së
nëntë të ShMUF “Ismet Jashari – Kumanova” në Javor të Therandës, Vikena Kodraliu.
* Një falënderim i veçantë për bashkëatdhetarët në
Zvicër për sponzorimin e këtyre Takimeve.