Ka vdekur Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologja dhe historiania e shquar nga Prizreni. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Edi Shukriu u lind në Prizren më 22 tetor 1950 nga prindërit Margarita (Gita) Mjeda-Shukriu dhe Muhamed Shukriu. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe. Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK, 2009-2012).
Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973). Ishte shkencëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004). Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004 – 2013). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demonstratave të shumta të grave kundër regjimit serb.
Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2013 anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve.
– Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Ars Clubi “Beqir Musliu” (2019).
– Çmimi për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanica”, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (2017).
– Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën poetike “Nënqielli’ (1990).
– Çmimi “Gani Bobi” për librin shkencor “Dardania protourbane”, Dukagjini, Pejë (1996).
Varrimi i të ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në ora 11:00, ndërsa homazhet do të bëhen nga ora 12:00 – 13:00. / KultPlus.com