Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë më se të vetëdijshëm për masat ndëshkuese nëse nuk pajtohen ta nënshkruajnë “Marrëveshjen Bazë” për normalizimin e raporteve.
Izolim të plotë ndërkombëtar dhe përkeqësim të raporteve me botën përëndimore – kjo do të jetë rruga që do ta ndjekin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç nuk tregohen konstruktivë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, thotë von Cramon për Albanian Post.
Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, thotë gjithashtu se dy liderët ballkanikë duhet ta shfrytëzojnë mbështetjen e madhe politike – njëri me mbi 50 përqind ndërsa tjetri me mbi 60 përqind të votës popullore – në mënyrë që ta “shesin” kompromisin, sado i dhimbshëm që mund të jetë.
“Ky plan do të zhbllokojë vendosmërisht dhe realisht perspektivën evropiane të Kosovës, por edhe të Serbisë. Të dyja vendet e dinë shumë mirë se pa zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, nuk do të ketë anëtarësim në BE. Kosova ka shumë për të fituar, duke përfshirë hapjen e rrugës për pesëshen mosnjohëse të BE-së për të lëvizur qëndrimet e tyre për shtetësinë e Kosovës, përfshirë Spanjën. Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç e dinë shumë mirë se pala që e refuzon marrëveshjen, ose pala qe tregohet jo konstruktive, do të izolohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe do të fajësohet për dështimin. Kjo mund të çojë në një përkeqësim të relatave me BE-në dhe në ndalimin e disa proceseve të rëndësishme”, thotë ajo.
Sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe frikës jo për atë që sot paraqet legalisht ky mekanizëm, por për faktin se çfarë ai mund të paraqesë nesër, gjatë implementimit praktik, ajo thotë se në Kosovë nuk do të zbatohet modeli i Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë.
Von Cramon në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin nënvizoi se kjo çështje që për kaq shumë kohë shkaktoi nervozizëm te kosovarët, do të hiqet nga tryeza në fillim të vitit të ardhshëm dhe nuk do të ketë më kushte dhe teknikalitete tjera burokratike për të përmbushur.