Nuredin Gashi, i njohur sikur edhe Nuredin Drenica, është arrestuar pasi ka thënë mbrëmë se secili person që tradhton atdheun duhet të vritet.
“Unë konsideroj që çdo njeri i cili bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij duhet të vritet”.
“Ajo është tradhti ndaj atdheut. Çdo njeri thashë, nuk e potencova me emër – çdo njeri që tradhton atdheun duhet të vritet”, tha ai mbrëmë në Debat Plus.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, ka njoftuar sot se e ka arrestuar një person për “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” për shkak të një deklarate që i njëjti e ka dhënë mbrëmë në Debat Plus.
Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë “kanosje të dhunës për vrasje ndaj kryeministrit të Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’, të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsërit”.
N.S në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit kishte deklaruar se “kush bën keq sikurse Albin Kurti, duhet të vritet”.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale i njëjti është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohentë pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.