Escobar: Vuçiq do ta shfrytëzonte ndikimin për t’i bindur serbët të marrin pjesë në zgjedhje

0
122

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat [komunale], Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth [këtyre] ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, tha ai.

Escobar i bëri komentet për gazetarët në Beograd, ku udhëtoi bashkë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Një ditë më herët, dy diplomatët qëndruan në Prishtinë.

Udhëtimi i tyre vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kriza atje, që u përshkallëzua në dhunë, nisi më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Derisa protestat vazhdojnë ende, Escobar dhe Lajçak dolën me tri kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kurti nuk dha asnjë shenjë se i ka pranuar këto kërkesa dhe për tensionet në veri fajësoi “bandat kriminale serbe”, të dirigjuara nga Beogradi, për të cilat tha se duhet të tërhiqen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të mërkurën në një intervistë për agjencinë Reuters se vendi mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në veri, nëse “20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë”.

Escobar, i cili një ditë më herët e kritikoi ashpër Kurtin për “mungesë bashkëpunimi” në shtensionimin e situatës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.

Serbët, pas thirrjeve të Beogradit, i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Sfida më e madhe për Serbinë tani është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]”, tha Escobar.

“Kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha zyrtari i lartë amerikan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here