Mediat britanike e lidhin vrasjen e kandidatit presidencial të Ekuadorit me bandat shqiptare

0
71

Ekuadori dikur quhej një ishull i paqes në një rajon të rrënuar nga jostabiliteti, por vitet e fundit vendi është kthyer në një qendër për trafikantët ndërkombëtarë të drogës, të cilët kanë bashkuar forcat me bandat lokale të rrugëve dhe kanë nisur një valë dhune si kurrë më parë në histori.

Vrasja e kandidatit presidencial, Fernando Villavicencio, e vulos zbritjen e Ekuadorit në kaos kriminal. Banda që pretendohet se është prapa vrasjes, ka lidhje të ngushta me fraksionet shqiptare që transportojnë kokainë në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu si edhe me kartelet meksikane të drogës. “Los Lobos” ose “Ujqërit”, mendohet se përfshijnë deri në 8,000 anëtarë, shumica prej të cilëve e drejtojnë botën e tyre kriminale nga burgjet e Ekuadorit, shkroi The Telegraph.

Villavicencion ishte një kritik i hapur i lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës në vendin e tij. 59-vjeçari ishte një nga tetë kandidatët në zgjedhjet e përcaktuara për 20 gusht.

Pjesa më e madhe e 19,000 kilogramëve të kokainës së regjistruar që u kapën në Britani vitin e kaluar, ka të ngjarë të jenë marrë nga fraksionet shqiptare që punojnë me “Los Lobos” dhe bandat e tjera ekuadoriane për të transportuar drogë në brigjet britanike, shpesh përmes porteve në Belgjikë dhe Holandë.

Agjencia Kombëtare kundër Krimit ka thënë se grupet e dhunshme kriminale shqiptare dominojnë botën e krimit britanik. Ata negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit amerikanë dhe shpërndajnë kokainë direkt te tregtarët në rrugët e qyteteve britanike.

Villavicencion ishte zotuar se do të forconte lidhjet me Britaninë si pjesë e fushatës së tij. Ai besonte se vendi i tij kishte nevojë për ndihmë për ta luftuar krimin e organizuar.

Në qytetin port Guayaquil, epiqendra e dhunës më të madhe të Ekuadorit, shkalla e vrasjeve është dyfishuar në 34.1 për 100,000 banorë, duke e bërë një nga qytetet më të rrezikshme në botë. Në shkurt 2022, dy trupa u gjetën të varur nga një urë që lidh qytetin me qytezën Duran. Policia pati thënë se vrasjet lidheshin me sekuestrimin e mbi 7 tonë kokaine. Ekzekutime të tilla, duke imituar kartelet famëkeqe meksikane, dërgojnë mesazh të qartë të mosbindjes.

Mediat britanike disa herë kanë shkruar për grupet shqiptare në Britani dhe lidhjet me botën e krimit. Ato shpesh i kanë asocuar me tregtinë e seksit, trafikimin e drogës, trafikim me njerëz, e të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here