Real Madridi ka prezantuar një identitet të ri vizual për shtëpinë e tij legjendare, duke e përditësuar emrin dhe logon e stadiumit të njohur deri tani si Santiago Bernabéu.
Në një video promovuese që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, klubi madrilen ka bërë të ditur se stadiumi do të njihet tashmë thjesht si “Bernabéu”, një version më modern dhe i shkurtuar i emrit historik.
Logoja e re përfshin konturet futuriste të fasadës së stadiumit të rinovuar, duke reflektuar imazhin bashkëkohor dhe teknologjinë e avancuar që karakterizon arenën pas transformimit të saj.
Debutimi zyrtar i këtij identiteti të ri korporativ do të bëhet këtë të diel, gjatë ndeshjes së NFL-së midis Washington Commanders dhe Miami Dolphins, që do të zhvillohet pikërisht në stadiumin “Bernabéu”.
Ky ndryshim shënon një hap të ri në strategjinë e markës së Real Madridit, duke synuar që stadiumi ikonik të bëhet një simbol global i inovacionit dhe modernitetit sportiv.




