2026/02/22
Banner Top
10 ditë për ta zgjedhur Presidentin ose zgjedhje: Hamza takon Kurtin, Abdixhiku nesër; çfarë pritet?

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Sipas njoftimit, në takim u trajtuan zhvillimet politike në vend dhe më gjerë, si dhe nevoja për hapjen e një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik.

Çështja e zgjedhjes së Presidentit u theksua si temë kyçe, duke pasur parasysh se, në bazë të afateve kushtetuese, kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë për përmbylljen e këtij procesi. Palët konstatuan se bashkëpunimi është i domosdoshëm, pasi për një votim të suksesshëm kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.

Ndërkohë, përmes një reagimi publik, vet Hamza ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar rreth zhvillimeve politike dhe procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.

Ai ka theksuar se si subjekt opozitar, PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk është pengesë e proceseve shtetërore, por njëkohësisht nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar në përputhje me frymën kushtetuese.

Hamza ka shprehur pritjen që përgjegjësit kushtetues për propozimin e kandidaturave të reflektojnë dhe të ofrojnë emra me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake.

Abdixhiku?

Të hënën pritet takimi Kurti-Abdixhkiku, piërisht për këtë çështje. Ndërkohë, qëndrimin e fundit për ktë punë, Abdixhiku e dha në “Context” të ATV-së.

Osmani, kritikonte ai, po bënte fushatë elektorale, nënkuptueshëm në vijat e Vetëvendosjes. Dhe nuk po e jetonte rolin e saj kushtetues të përfaqësimit të unitetit të popullit.

Tash kur rizgjedhja apo mosrizgjedhja e saj është tema e ditës, ditëve të fundit në “Debat Plus”, Abdixhiku i bëri ‘apologji’ por edhe i shtoi ‘konfuzionit.’

Kritikat se Osmani i ka shërbyer në rend të parë interesave të Vetëvendosjes, nuk janë qëndrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha ai tash, “por të individëve.”

Akterë prej më të lartëve në LDK për pesë vite me radhë Osmanin e kanë parë veçse si zgjatim të partisë Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Autori i “DP”, Ermal Panduri, këmbëngulësisht deshi t’ia nxjerr qëndrimin a (s’)e voton LDK-ja ish-zyrtaren e tyre Vjosa Osmanin edhe për një mandat.

Abdixhiku i bëri okollën-okollës pa një Po-ose-Jo definitive.

Se si vendos LDK-ja për të votuar ose mosvotuar, Abdixhiku, madje e la të hapur mundësinë e një vendimi që vota e deputetëve të kësaj partie të jetë e lirë, individuale e vetëzgjedhëse.

“Ulemi në kryesi dhe shohim vendimmarjen. Dhe kjo është e thjeshtë: votojmë, s’votojmë”, tha ai. Pastaj vazhdoi me njl linjë të përmbysur. “Ku p’e dini çfarë vendimi marrim ne? Ndoshta vendimi ynë është që t’ia lëmë secilit deputet individualisht të vendosë si të do? Ku e din ti? Edhe ashtu ka. Sepse ka pasur rasti kur kemi pasur bindje të ndryshme për ligje të caktuara. Rasti i të burgosurve të ardhur nga Danimarka…e në fund votuam sipas bindjeve tona. Por, pajtohem që për Presidentin duhet të kemi orientim të përbashkët. E ne s’e kemi marrë ende atë orientim.”

‘Apologji’ Osmanit…

Abdixhiku duke folur për koncentrimin e pushtetit në duart të Vetëvendosjes rolin e presidentit “si balancues” e quajti jetike për vendin.

Panduri: Por, Vjosa Osmani është quajtur “vegël e VV-së” prej LDK-së…

Abdixhiku: Jo, nuk u quajt prej LDK-së…qëndrimet individuale nuk më interesojnë.

Panduri: Eh, a ka qenë e anshme?

Abdixhiku: Unë besoj se në rrethana të caktuara nuk ka arritë me ushtru atë çfarë unë kam prit. P.sh, te Kryeprokurori i Shtetit. Në politikë të jashtme është dashur të jetë më parandaluese e dëmeve të mëdha. Ne e kemi humb Dialogun Strategjik (me ShBA-në), anëtarësimin në KiE. Në anën tjetër ka lëvize që duhet vlerësuar. Anëtarësimin në Bordin e Paqes. Është lajm i shkëlqyeshëm për të gjithë shqiptarët. A e kuptoni çfarë sigurie është kjo për ne?

Në janar, la të kuptojë se s’e mbështet Osmanin…

Lidhja Demokratike e Kosovës, me t’u konkluduar zgjedhjet e 29 dhjetorit, përmes kryetarit të saj, pati dhënë sinjale se do ta mbështesë rizgjedhjen e Vjosa Osmani për presidente.

Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, pati theksuar se pa marrëveshje politike nuk do të përkrahet asnjë kandidat. Sipas tij, “kandidimet unilaterale nuk sjellin konsensus” dhe imponimi i emrave prodhon krizë institucionale.

Ai shtoi se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me “logjikë konsensusi”, jo force, duke kërkuar figurë unifikuese.

Pesë vjet më parë, deputetët e LDK-së patën ndihmuar zgjedhjen e Osmanit duke qëndruar në sallë për kuorum.

Sipas Kushtetutës, nëse pas tri raundeve nuk zgjidhet presidenti, shpërndahet Kuvendi.

Mundësinë e zgjedhjeve të reja nuk e ka përjashtuar as Albin Kurti.

Banner Content