Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se i ka dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, në prag të balotazhit të 9 nëntorit.
Në njoftimin e tij publik, Kelmendi ka theksuar se Peja duhet të shkëputet nga “pazaret politike të së kaluarës”, duke përmendur varësinë, siç tha, nga marrëveshjet me Lista Serbe dhe struktura të tjera të jashtme të vendimmarrjes.
“Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të qeverisim me integritet, drejtësi dhe me qytetarin në qendër. Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”, shkroi Kelmendi në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi i ofruar për AAK-në ka për qëllim sigurimin e një qeverisjeje stabile dhe të përgjegjshme në Pejë.
Në garën për balotazh, Kelmendi përballet me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve mori 46.25% të votave. Kelmendi doli i dyti me 27.78%, ndërsa Berisha i AAK-së përfundoi i treti me 18.21%.


