Sulme të parreshtura erdhën dje në drejtim të LDK-së dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, nga akterë të Vetëvendosjes në Shqipëri.
Këshilltari i kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, pjesë e VV-së në Shqipëri, nuk la pa përmendur as ish-kryeministrin Isa Mustafa. Për këtë të fundit, Hoxha tha se e ka shfytyruar LDK-në, në krahasim me kohën e Ibrahim Rugovës.
“Kuptova vetëm se skizofreni i vogël Lumir, nuk di se si të jetë kryetari në fazën e tretë të LDK-së. Sepse mendojeni mirë: pas fytyrës së LDK-së, Rugovës, vjen shfytyrimi i LDK-së, Mustafa. I gjori Lumir nuk po di a t’ketë a mos ketë fytyrë. Në pritje të përfundimit të reflektimit, për me kalu kohën, shpiku grupin e Tiranës”, shkroi ai.
Ish-kryeministri Isa Mustafa i ka quajtur “enveristë” Grupin e Tiranës në VV, duke thënë se do të ndihej i ofenduar nëse do e lavdëronin.
“Tani do duhej të besoj se enveristët janë të preokupuar për fytyrën e LDK-së. Do të ndihesha i ofenduar nëse do të më lavdëronin por kurrësesi kur më sulmojnë”, tha Mustafa për lajmi.net.
Për sulmet e të ashtuquajturit Grup të Tiranës reagoi sot edhe ish-kryenegociatori, Skender Hyseni. Hyseni tha se aktivistë të VV-së në Tiranë po diktojnë politikën qeverisëse në Prishtinë. Sipas tij, ata janë të interesuar ta fusin Kosovën në një konfrontim me SHBA-të.