Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka protestuar të martën para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, duke kërkuar rishqyrtimin e raportit të Dick Marty-t dhe rezolutës që doli prej tij. Ai e quajti raportin “të padrejtë” dhe pretendimet e Marty-t “njollosje ndaj UÇK-së”.
“Sot kemi ardhë të protestojmë para Asamblesë së Parlamentit të Evropës, mu nga ky Parlament ku është bërë një rezolutë e padrejtë ndaj shqiptarëve dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga një njeri i çmendur,” deklaroi Gucati, duke shtuar se “Dick Marty… ka vdekur, e me këto letra që sot do t’i dorëzojmë… rezoluta të rishqyrtohet dhe ajo rezolutë varroset bashkë me Dicky Martin”.
Sipas tij, rezoluta ka synuar “ta njollosë UÇK-në”, ndërsa ai theksoi se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk njolloset dhe nuk ka qenë organizatë kriminale; ajo ka qenë organizatë çlirimtare që çliroi Kosovën nga çetnikët serbë”.
Gucati kritikoi ashpër edhe Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se gjykata “ka devijuar” dhe po përdor “dëshmitarë të fabrikuar” kundër ish-krerëve të UÇK-së. “Unë jam dëshmitar i gjallë… që kemi qenë brenda në atë burg famëkeq dhe në atë gjykatë famëkeqe që është kundër neve dhe kundër kombit tim shqiptar,” deklaroi ai. Sipas tij, “në atë gjykatë nuk dënohen vetëm pjesëtarët e UÇK-së por i gjithë kombi shqiptar”.
Në vijim, ai kërkoi që Asambleja ta korrigjojë “gabimin historik” dhe të kërkojë falje. “Kërko falje ndaj shqiptarëve, kërko falje ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit e Kadri Veselit. Të paktën kërko falje para kombit shqiptar,” tha ai.
Protesta filloi në orën 13:00 dhe përfundoi me dorëzimin e letrave për secilin anëtar të Asamblesë.



