Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka falënderuar gjeneralin amerikan për dëshminë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një reagimi për media, OVL-UÇK ka vlerësuar se ish-komandanti i NATO-s ka dëshmuar në mbrojtje të së vërtetës së UÇK-së.
Sipas kësaj organizate, dëshmi e Clark është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe për drejtësinë.
“Faleminderit Gjeneral Wesley Clark! OVL e UÇK-së shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për gjeneralin amerikan Wesley Clark, për praninë, integritetin dhe gatishmërinë e tij që të dëshmojë në Dhomat e Specializuara në Hagë në mbrojtje të së vërtetës mbi luftën tonë çlirimtare dhe rolin e UÇK-së. Dëshmia e tij e qartë, profesionale dhe e mbështetur në fakte historike, është një dëshmi tjetër e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe për drejtësinë. Fjalët e gjeneral Clark jo vetëm që konfirmuan të vërtetën tonë, por edhe nderuan sakrificën e mijëra luftëtarëve që u rreshtuan për liri. Në emër të të gjithë veteranëve të UÇK-së, i shprehim falënderimin tonë të sinqertë gjeneral Clark-ut, dhe përmes tij, popullit dhe shtetit amerikan, për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë dhe i japin gjithmonë Kosovës”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.



