Përpara një vizite të planifikuar të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida të dielën, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump paralajmëroi se asgjë nuk do të vendoset derisa ai ta miratojë atë. “Ai nuk ka asgjë sa kohë që unë nuk jap pëlqimin”, tha Trump në një intervistë me revistën “Politico” të premten “Pra, do të shohim se çfarë do të ketë.”
Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin mes Presidentit të SHBA-së Trump dhe Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën në Palm Beach, Florida. Mbetet e paqartë nëse do të ketë bisedime edhe me palën ruse. Rusia nuk u përmend në njoftim.
Zelensky optimist
Vetë presidenti Zelensky njoftoi më parë se një marrëveshje sigurie midis Ukrainës dhe SHBA-së ishte “pothuajse e përfunduar”. Drafti i një plani 20-pikësh ishte përfunduar 90 përqinga agjencia e lajmeve Reutersd, shkroi Zelensky në një bisedë në WhatsApp me gazetarët.
Zelensky i kishte thënë më parë portalit të lajmeve Axios se SHBA-të kishin ofruar një marrëveshje garancie sigurie 15-vjeçare, e cila mund të zgjatej. Megjithatë, Kievi dëshironte një afat më të gjatë.
“Mbështetje e plotë” nga Evropa dhe Kanadaja
Përpara udhëtimit në SHBA, Zelensky u konsultua edhe me aleatët europianë. Me iniciativën e Kancelarit Friedrich Merz, presidenti ukrainas informoi një numër krerësh shtetesh dhe qeverish dhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s rreth bisedimeve të tij të ardhshme me Trump, njoftoi qeveria gjermane në mbrëmje.
Deri më tani nuk janë publikuar detaje specifike. Në një deklaratë thuhet, se njëmbëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish nga Evropa dhe Kanadaja, si dhe udhëheqësit e NATO-s dhe BE-së, e kanë siguruar Ukrainën për “mbështetjen e tyre të plotë” dhe theksuan angazhimin e tyre për të punuar “në koordinim të ngushtë me SHBA-në për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.
Zelensky theksoi të shtunën, se Evropa duhet të vazhdojë të punojë së bashku. “Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe të gjithë në Evropë duhet të bashkohen për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës evropiane, pavarësinë e shteteve tona dhe paqen në Evropë. Duhet të ketë paqe”, shkroi Zelensky në Platformën X./DW



