Sonte ka përfunduar manifestimi “Epopeja e UCK-së” në nderim të familjes Jashari. Në shtatë rajone të Kosovës janë ndezur flakadan për ta kujtuar familjen e heroit Adem Jashari.
Edhe Komuna e Prishtinës është solidarizuar në kujtim të kësaj epopeje.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ndezi sonte në Prishtinë flakadanët për të shënuar natën e zjarreve, në shenjë solidarizimi me ndezjen e flakadanëve në të gjitha rajonet, duke përmbyllur kështu manifestimin në përkujtim të “Epopesë së UÇK-së”.
“Çdo vit kjo do të madhërohet më shumë për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, të gjithë ata që e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit që e gëzojmë tani”, ka thënë kryetari i Prishtinës.
Sonte me natën e zjarreve në Prekaz u përmbyll Epopeja e UÇK-së, treditori i lavdisë, dinjitetit e krenarisë. Për tri ditë me radhë mijëra qytetarë bënë homazhe te Kullat e Rezistencës, aty ku 25 vjet më parë u flijuan për atdhe komandanti legjendar Adem Jashari me familje.
Pra, si njoftuam më heret edhe në Prishtinë, kreu i komunës bashkë me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, ndezën flakadanët për ta shënuar natën e zjarreve, në shenjë solidarizimi me ndezjen e Flakadanëve në të gjitha rajonet, duke përmbyllur kështu manifestimin në përkujtim të Epopesë së UÇK-së.