Analisti i çështjeve të sigurisë dhe ushtarake Fadil Kajtazi ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, se kërkesa e tij për mbështetje institucionale për përkthimin e librit “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit – burime serbe dhe ndërkombëtare” është refuzuar nga Ministria e Kulturës pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar. Reagimi i tij ka ardhur pasi ka parë se një përfitues tjetër ka marrë mbështetje nga i njëjti institucion.
Sipas shkrimit të tij, vitin e kaluar ai kishte marrë një kërkesë nga një shtëpi prestigjioze botuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për botimin e librit. Për shkak të ndjeshmërisë së temës, botuesi kishte kërkuar që libri të përkthehej nga një përkthyes vendor.
Autori kishte aplikuar në konkursin “Ndihmë autorit”, të shpallur nga Ministria e Kulturës, duke theksuar se i kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe kishte ndjekur procedurat e kërkuara. Megjithatë, sipas tij, komisioni përkatës e kishte refuzuar kërkesën pa arsyetim.
Ja postimi i tij i plotë:
Vitin e kaluar kisha një kërkesë nga nje shtëpi prestigjioze botuese në SHBA per botimin e librit tim “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit – burime serbe dhe ndërkombëtare”. Për shkak te ndjeshmërisë së materies, botuesi kërkoi që libri te përkthehej nga një përkthyes vendor.
Në konkursin e vitit të kaluar “Ndihmë autorit”, të shpallur nga Ministria e Kulturës, pasi konstatova se i plotësoja të gjitha kushtet e aplikimit dhe duke ndjekur me korrektësi të gjitha procedurat, e bëra aplikimin.
Komisioni përkatës i ministrisë ma refuzoi kërkesën pa asnjë shpjegim. Edhe pse e dija se refuzimi lidhej me bindjet e mia politike, vendosa të mos reagoj. Por sot, kur pashë se Vudi Xhymshiti kishte përfituar nga ministria, më plasi mullëza e barkut.



