1 tetor, 2007. Një ditë e qeshur vjeshtore në kryeqytet.
Në kontrast me këtë, në një vend të panjohur në Veternik, tre burra në të tridhjetat e tyre po i ngërmohen një të riu me të bërtitura.
Të tre burrat mbaheshin si drejtues në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ata sapo e kishin kidnapuar një të ri 21-vjeçar nga Livoçi i Gjilanit.
Bëhet fjalë për një rast që nuk është mangut nga rrëmbimi, tortura dhe dhuna psiqike.
Për t’i rënë në të ngjarjes, viktima këtu është Vedat Xhymshiti-Vudi, kurse perpetratorët Liburn Aliu (32 vjeç), Hysen Durmishi (35 vjeç) dhe Xhelal Sveçla (37 vjeç).
“Dielli dy gisht”
Asobote ata ishin fare të panjohur për publikun në Kosovë.
Katërmbëdhjetë vite më vonë, njëri nga ta do të bëhej ministër i Infrastrukturës, tjetri zëvendësministër i tij, dhe i treti ministër i Punëve të Brendshme.
Duke qenë jabanxhi në Prishtinë, i riu Vedat Xhymshiti me mezi e shquante vendndodhjen ku po i bëhej gjëma që po ia ndryshonte jetën përgjithmonë.
I kujtohej vetëm që vetura u shkëput nga rrethi në dalje të Prishtinës dhe më pas mori në të majtë në një kthesë.
Ia hante mendja se duhej të ishte në Veternik ose diku afër.
Si dolën nga vetura, ata u drejtuan te një shtëpi në vendin ku tani naltohen ‘Banesat e Arabëve’.
I riu gjilanas, që ishte aktivist në Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, u maltretua psiqikisht për orë të tëra, me gjasë pësoi edhe fizikisht, dhe në fund u kërcënua se do të zhbihej nga faqja e dhéut.
Prej muajsh, organizata militante po ia bënte diellin dy gisht Vudit të ri.
Me pak përvojë prej aktori amater në Teatrin e Gjilanit, ai ishte një nga ata pak njerëz që pranoi të hapte një pikë të ‘Vetëvendosjes’ në Gjilan.
Oh, dala e plastë…
Me aparatin personal kërshërohej të fotografonte gjithçka derisa një ditë një shkrepje strak-strak i solli belanë.
Kur njëherë i rastisi të shkonte në Tiranë, me sa duket, kishte bërë disa fotografi te njëra nga godinat e institucioneve shtetërore.
Kjo gjë nuk iu shpëtoi syve picërrues të agjentëve të ShISh-it, të cilët iu qepën pas kosovarit leshverdhë.
Si e morën vesh se për kë bëhej fjalë, disa burra në mesomoshë, që u prezantuan si zyrtarë të shtetit, i përcollën selame Lëvizjes Vetëvendosje.
Kaq mjaftoi që Vud mavrija nga ajo ditë të shihej si dele e zezë brenda tufës.
Kjo historizë përbën sfondin e pësimit të tij në duart e Vetëvendosjes.
“Më shpallën armik”
Duke kërkuar shpagim ndër vite për zullumin që e përjetoi, Vudi më kot shkruante e shkruante nëpër media virtuale.
Për arsye që s’kuptoheshin gjithaq, as rivalëve të VV-së nuk u ndillej ndonjë dhembshuri.
Pavarësisht kësaj, Vudi ngulmonte në të veten.
Në njërin nga këto rrëfime të palexuara, ai kallëzon sesi fati ia shortoi që të bëhej pjesë e organizatës së drejtuar nga Albin Kurti dhe shokët e tij.
“Unë në Lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’, përveçse kam qenë përgjegjës për media dhe njëri prej themeluesve te qendrës së Gjilanit (së bashku me Shpend Terziun), njëkohësisht merresha edhe me organizimin e qendrës. Qendra e Gjilanit ishte më e forta dhe më e organizuara në të gjithë Kosovën”.
“Me rastin e kalimit në Prishtinë për shkak të studimeve të mëtutjeshme, kisha po ashtu nën përgjegjësi kujdesin ndaj gazetës katërfaqëshe ‘Vetëvendosje’ lidhur me fotografitë. Merresha edhe me realizimin e TV-reportazheve në kanalin e organizatës në YouTube, së bashku me disa aktivistë të tjerë të cilët po ashtu nuk janë më, sepse gjatë kësaj kohe ose më pas u shpallën armiq!”
Liburn Aliu kërcënon me plumba
Sipas Vudit, bashkëveprimtarët e tij më nuk e shihnin me sy të mirë.
Nga dita në ditë ftohtësia e tyre kishte shijen e një armiqësie që mund të shpërthente pizgë.
Një ditë, dikush nga drejtuesit e ‘Vetëvendosjes’, me një çehre pa jetë, i tha ashtu ftohtë se duhej të takoheshin me patjetër për njëfarë pune.
“Pas përpjekjeve jo të frytshme të drejtuesve tanë për të mbjellë urrejtje në mesin e aktivistëve kundër meje, ata (drejtuesit), më 1 Tetor 2007, në emër të ‘korigjimit’ më thirrën për takim në një vend diku në periferi të Prishtinës, te banesat e reja në Veternik.”
Takimi doli të ishte pabesueshëm i tmerrshëm për të.
Atij po i numëroheshin një për një ‘gjynahet’ e bëra në organizatë dhe hutia po e kaplonte në formë djersësh, frike e frymëmarrje të rënduar.
Ai mendoi për pak se mos ndonjëri po luante ndonjë shaka, por kjo shpresë iu shua kur shihte sytë e tyre plot urrejtje e tërbim.
Me prepotencë e me shkulme të dridhurash që nuk kuptoheshin nëse ishin frikë a tension, Liburn Aliu ia bënte me gisht se për këto teprime që po i bënte vetëm plumbi i vjen hak.
Sipas Vudit, “me të filluar biseda, Liburn Aliu më kërcënoi në mënyrë prepotente: ‘Kqyre Vedat, me pasë kanë në LKÇK a UÇK ta kishim shti kryet n’b***, t’kishum rreh e rreh derisa kishe kallxu se për kâ punon. Dije se njerëzit kanë hangër edhe pluma për kto punë. Po na ty po të falim, se jem lëvizje paqësore, se ndryshe ishim da me ty’. Punën e policit dhe prokurorit e bënin edhe dy drejtuesit e tjerë, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, të cilët më mvishnin lloj-lloj akuzash, dhe saherë iu kundërvihesha ata ngriheshin në këmbë si të tërbuar.”
‘Verdikti’ i organizatës
Gjatë gjithë kësaj potere, tre drejtuesit e Vetëvendosjes tashmë kishin flakur edhe frenat e fundit të njerëzillëkut.
Në këtë shtëpi, që nuk dihej se e kujt ishte, po ngjante diçka si të ishte skenë në një stacion policor ku hetuesit kanë tagër që edhe ta flakareshin të dyshuarin derisa të pranojë fajin.
Për ta, Vudi nuk ishte gjë tjetër pos një argat i shërbimeve të huaja.
“Ata më akuzuan se meqë po shoqërohesha me një gazetare shqiptare, pjesëmarrëse në tri luftërat çlirimtare, po bëja spiunazh për Shërbimin francez; insinuatat e tyre konspirative më implikonin edhe në Shërbimin sekret shqiptar të Maqedonisë; se këta të fundit më kishin dhënë një çikë lek më shumë e kësisoj kërcyen tek shërbimi sekret i Serbisë e deri tek ai amerikan, sepse unë në kohën kur kisha qenë në Tiranë u pata takuar me Gafurr Adilin nga radhët e së ashtuquajturës FBKSh”.
Kur Vudi e zëronte këtë përvojë, vetëm tek-tuk ndonjë njeri ndjente dhembshuri për të.
Dhe për këtë arsye, si i shtyrë nga një ndjesi vetasgjësimi, ai nuk reshte së shkruari kudo që gjente mundësi.
Kur në takim e zbrazën të zitë e barkut, Liburn Aliu, Hysen Durmishi e Xhelal Sveçla e njoftuan aktivistin e torturhar se më nuk ishte pjesë e organizatës.
“Në fund të këtij takimi, ku ma kumtuan përjashtimin nga rradhët e lëvizjes, drejtuesit m’i dhanë kërcënimet e fundit duke më thënë që të mos dukesha asnjëherë në zyret e lëvizjes, të mos mbaja komunikime me aktivistët se përndryshe edhe ata do të përjashtoheshin nëse nxiheshin në një ‘vepër të tillë penale’”.
“VV-ja është e interesuar që…”
Kjo armiqësi nuk do të mbaronte me kaq.
Edhe kur kishin kaluar gati shtatë vite nga kjo ngjarje, vetëm prania rastësore e Vudit mjaftonte që aktivistë të Vetëvendosjes të ndërseheshin kundër tij.
Më 19 qershor 2014, Alban Krasniqi do t’i ngërmohej virtualisht “Vedat SHIK-u, gjallë je a?”
Kaq mjaftoi që Vedati i mbetur fillikat vetëm të ankohej se ndjehej i rrezikuar, madje duke trokitur në dyert e AGK-së, SEEMO-së, IFJ-së, EFJ-së, CPJ-së, RSF-së dhe Amnesty International-it.
“Pyetja ‘reaguese’ e A. Krasniqi nga radhët e LVV-së, po e citoj ‘Vedat SHIK-u gjallë je a?’, është e frikshme dhe mbështet shqetësimet e individëve në LVV, të cilët jo pak herë më kanë thënë, po citoj, ‘LVV është e interesuar që ju të ishit i vdekur’, por unë kisha vendosur ta injoroja këtë fakt deri në momentin kur një zyrtar i lartë i kësaj partie paska vendosur të shprehë hapur habinë e tij që unë ende jam gjallë. Zoti Krasniqi, sigurisht, që është i vetëdijshëm se çfarë e ka motivuar për të shkruar një pyetje të tillë”, shkroi Vudi në indinjatën e tij.

Këto cakërrime do të vazhdonin edhe në muajt në vazhdim.
Një aktivist i Vetëvendosjes në Gjilan e shpalli Vudin “njeri të humbur”, me ç’rast edhe vuri një numër kontaktues për të.
Vudi i vetëm: “Do t’ia çjerr maskën Albinit”
Në takat të vetin, edhe Vedati nuk i linte kusur Vetëvendosjes, të cilën e quante si krijesë të Thaçit (“… Vetëvendosje është një krijesë e shërbimit të fshehtë të partisë së ministrit të jashtëm kosovar, Hashim Thaçi…”).
Ndonëse ligësht për nga aftësitë shprehimore në shqip, Vedati bënte çmos që me shkrime t’ia “çirrte maskën” Albin Kurtit.
“Albin Kurti mund ta kënaqë egocentrizmin e tij duke përsëritur disa herë në ditë se Vetëvendosje nuk ka ndryshuar me hyrjen brenda sistemit, por ky i fundit ka përfituar një esencë të re. Ai dhe të tjerët si ai, duhet ta kenë të qartë se kanë filluar t’i bien pendlat tregimit të pabesueshëm për virgjëreshën e paepur që jeton në bordello e rrethuar nga gangsterë e kriminelë të çdo lloji.”
Dhe nuk ndalej me kaq.
Sipas tij, “Albin Kurti, është një politikan rrezikshmërisht mashtrues e i paturp”, madje “aspak nuk dallon nga krerët e tjerë partiakë në Kosovë, ai është një prej shumë prostitutave politike të shitura me orar të rregullt pune.”
Pak patetizëm: “Kur çel dita fillon aktiviteti gazetaresk”
Ndër vite, Vudi nuk hoqi dorë nga vetë-imazhi si gazetar i pavarur që mësyn turrevrap në “fronte lufte”.
Në një intervistë me Eljan Taninin, ku nuk mungojnë as notat komike, Vudi i Livoçit e përshkroi veten si “me origjinë nga Shqipëria e sipërme, pra veriore”.
Lexuesve iu vizatohej portreti qesharak i një Vudi që, në të gdhirë të mëngjesit, fillon jetën prej gazetari.
“Dita ime nis me një shikim në dritaren time, e cila shikon nga lindja e diellit, por jo çdo herë e nis aty. Gjithsesi, vazhdoj me vizitën e parë të mëngjesit në tualet për të vazhduar më pastaj në laptopin tim, me qëllim që t’i lexoj porositë e mundshme të ardhura në postën time elektronike, e pastaj e vendos axhendën ditore.”
Duke qenë se Eljani kaplohej nga valët emocionale të rrëfimit të të intervistuarit, Vudi nisi ta shërbente publikun me kopalla se si kishte vendosur ta sakrifikonte jetën martesore, pra të bëhej celibat, për hir të gazetarisë.
“Unë nuk jam i martuar. Të bësh këtë punë që bëj unë, është vështirë të gjesh partneren që së paku provon të të kuptojë.”
Heroizma në imagjinatë
Sigurisht, intervistat e tilla janë mundësi e rrallë për të shkrehur nga fantazia ‘heroizmat’ e profesionit, sidomos kur bashkëfolësi nuk duket sfidues me pyetje qartësuese.
Një nga këto sajesa ishte edhe ai moment kobzi kur fotoreporteri ynë qenka ‘goditur’ nga snajperi, madje me dy plumba.
“Unë jam goditur me 2 plumba nga një snajper i kalibrit 7.62 mm. Kam qenë shumë me fat që plumbat më kanë goditur në pllakat mbrojtëse të një jeleku antiplumb, sepse pika goditëse ka qenë në distancë ndoshta në afërsi prej 1,000 metra.”
Por rrëfimi imaginativ digjej mu në hollësitë e tij të pamundura.
Një fotoreporter me zero përvojë, në një vend në flakë lufte, paska pasur aftësi forenzike jo vetëm për të identifikuar llojin e plumbave, por edhe distancën e shkrepjes.
Goditjet me snajper, veçmas nga largesa të tilla të supozuara, janë vdekatare dhe një jelek antiplumb zor që do të mpakte fuqinë e tij goditëse.
Eljani, si intervistues, zor që mund ta dinte se ky rrëfim vargisej në mesin e qindra të tillëve që Vudi i sajonte aktivisht ndër miq: njëherë ai na ishte rrëmbyer prej islamistësh të egërsuar, një herë tjetër CIA e KGB po e kërkonin të gjallë a të vdekur, e plot të tjera.
Sot, Vedat Xhymshiti-Vudi paraqitet si një nga preponentët më aktivë të pushtetit të ri në Kosovë.
Shënimet e tij në Facebook, të përftuara të shumtën e hera e me AI, gëzojnë audiencë të numërt mes simpatizantësh të Vetëvendosjes.
Me dy ‘mediume’ të tij, ‘Gunpowder Chronicles’ dhe ‘Kronikat e Barutit’, ku për shfletim të përmbajtjes kërkohet herë parapagim e herë dhurim në vlerë prej 10 eurosh, Vudi është gazetar investigativ dhe i pavarur.
Kështu vetëcilësohet…



