2026/03/10
Banner Top
AIP paralajmëron ueb-faqet: 15 ditë afat për transparencë në përpunimin e të dhënave personale

Paralajmërim i përgjithshëm për përmbushjen e obligimeve ligjore lidhur me transparencën dhe informimin për përpunimin e të dhënave personale në ueb-faqe

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), në kuadër të mandatit të saj ligjor dhe planit të inspektimit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka identifikuar se një numër kontrolluesish që operojnë përmes ueb-faqeve nuk kanë të vendosura mekanizma adekuatë të transparencës dhe informimit për përpunimin e të dhënave personale gjatë vizitës së përdoruesve në këto faqe.

Në veçanti, është vërejtur se në disa ueb-faqe mungon njoftimi fillestar për përdorimin e cookies, mungon politika e cookies, si dhe mungon informimi i qartë, i plotë dhe i qasshëm për faktin se gjatë vizitës në ueb-faqe mund të mblidhen dhe përpunohen të dhëna personale të vizitorëve, përfshirë adresën IP, identifikues online, të dhëna mbi pajisjen, të dhëna mbi sjelljen e përdoruesit në faqe, si dhe të dhëna të tjera që, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen të dhëna personale.

Ju rikujtojmë se, në cilësinë e kontrolluesit, keni obligim që përpunimin e të dhënave personale ta bëni në përputhje me parimet e ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës, si dhe të siguroni që subjekti i të dhënave të informohet qartë, saktë dhe në kohë për çdo përpunim të të dhënave të tij personale.

Për këtë arsye, kërkohet nga ana juaj që të ndërmerrni masat e nevojshme për përmbushjen e obligimeve ligjore, duke siguruar që:
* ueb-faqja juaj të përmbajë politikë të privatësisë të qartë, të plotë dhe lehtësisht të qasshme;
* ueb-faqja juaj të përmbajë politikë të veçantë për cookies, në rastet kur përdoren cookies ose teknologji të ngjashme;
* vizitorët e ueb-faqes të informohen që në hyrje të faqes lidhur me përdorimin e cookies dhe teknologjive të tjera të gjurmimit;
* informimi të përfshijë së paku llojet e të dhënave që mblidhen, qëllimet e përpunimit, bazën ligjore, kategoritë e cookies, kohëzgjatjen e ruajtjes së tyre, marrësit ose kategoritë e marrësve të të dhënave, si dhe të drejtat e subjektit të të dhënave;
* në rastet kur përdoren cookies jo thelbësore apo teknologji të tjera që kërkojnë pëlqim, ky pëlqim të merret paraprakisht, në mënyrë të lirë, specifike, të informuar dhe të qartë.

Ju njoftojmë se AIP ka vendosur në funksion mekanizma dhe mjete për identifikimin, verifikimin dhe inspektimin e ueb-faqeve që përpunojnë të dhëna personale pa i informuar subjektet e të dhënave në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, do të verifikohen në mënyrë sistematike ueb-faqet që mbledhin të dhëna personale përmes cookies, adresave IP, formularëve online, mjeteve analitike, plug-in-eve, si dhe teknologjive të tjera të ngjashme, pa ofruar transparencën e nevojshme ndaj vizitorëve të tyre.

Ky njoftim përbën paralajmërim të përgjithshëm para ndërmarrjes së inspektimeve ndaj kontrolluesve që operojnë përmes ueb-faqeve dhe që përpunojnë të dhëna personale pa i përmbushur detyrimet ligjore për informim dhe transparencë.
Në rastet kur gjatë inspektimit konstatohen parregullsi ose shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të gjitha të gjeturat do të analizohen nga Agjencia dhe, në përputhje me kompetencat ligjore dhe natyrën e shkeljeve të konstatuara, do të ndërmerren masat përkatëse sipas ligjit, përfshirë edhe shqiptimin e masave ndëshkuese.

Mungesa e politikës së privatësisë, mungesa e politikës së cookies, mungesa e njoftimit paraprak për përdorimin e cookies dhe teknologjive të ngjashme, si dhe mungesa e informimit për përpunimin e të dhënave personale gjatë vizitës në ueb-faqe, përbëjnë mosrespektim të obligimeve që rrjedhin nga Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe cenojnë të drejtën e subjektit të të dhënave për t’u informuar lidhur me përpunimin e të dhënave të tij personale.

Andaj, ju kërkojmë që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të kësaj shkrese, të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për harmonizimin e ueb-faqes suaj me kërkesat ligjore dhe të siguroheni që informimi ndaj subjekteve të të dhënave të jetë i plotë, i qartë dhe në përputhje me ligjin.

Pas kalimit të këtij afati, Agjencia do të vijojë me zbatimin e aktiviteteve mbikëqyrëse dhe inspektuese sipas planit të inspektimit dhe në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

——————————–

 

Banner Content