Në emër të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), është shprehur shqetësimi i thellë për pasojat që pritet të ketë rritja prej 16% e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Sipas AKB-së, kjo rritje do të përshpejtojë inflacionin, do të rrisë varfërinë dhe do të thellojë krizën ekonomike që po përjeton vendi. Sipas të dhënave, vetëm muajin e kaluar inflacioni ka shënuar një rritje prej rreth 4%, pa përfshirë efektin e rritjes së re të tarifave të energjisë. Tani, me implementimin e çmimeve të reja, pritet që kjo shifër të rritet edhe më tej, duke prekur drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke rritur ndjeshëm koston e jetesës.
“Rritja e çmimit të energjisë rëndon qytetarët, shton varfërinë dhe i detyron bizneset të rrisin çmimet e produkteve dhe shërbimeve, duke goditur konsumatorët kosovarë,” deklaroi Agim Shahini, kryetari i AKB-së.
Ai kërkoi nga institucionet përkatëse që të rishqyrtojnë urgjentisht vendimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke pasur parasysh ndikimin negativ që kjo masë do të ketë në ekonominë e vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Shahini theksoi gjithashtu se përkrahja e qytetarëve dhe e bizneseve duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm i institucioneve, sidomos në një periudhë të tillë sfiduese, ku ngërçi politik po godet edhe më shumë ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.