Nga Astrit Gashi
Të thuash se Tetova është kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë është mashtrimi i radhës i një lideri të lodhur. Tetova është krenari, por jo kryeqendër. Shkupi është kryeqendra sepse aty shkruhet fati i shqiptarëve, aty marrin formë institucionet, aty matet pesha jonë politike dhe aty dëgjohet zëri ynë në sytë e botës.
Ali Ahmeti kërkon ta shpallë Tetovën kryeqendër vetëm për të fshehur humbjen e turpshme në Shkup, ( Çair) aty ku shqiptarët i thanë qartë “mjaft” sundimit të tij. Por historia nuk falsifikohet me fjali, ajo shkruhet me përballje. Dhe përballja jonë është dhe mbetet Shkupi.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për “kryeqendra” të shpikura nga një lider që ka humbur busullën dhe është në gjendje të bëjë gjithçka për të mbetur në pushtet. Shqiptarët kanë nevojë për një politikë të denjë, që e sheh Shkupin si kryeqytetin e kombit në shtetin tonë të përbashkët jo si një stacion tranzit për pazare me nëntokën apo me ekstremistët maqedonas.
Vonë, shumë vonë, pas dy dekadash në pushtet nuk foli asgjë tashmë në opozitë Ali Ahmeti po kap kartën e nacionalizmit. Por kjo nuk vlen më. Sepse secili e ka parë dhe e sheh ende qartë së pazaret, kompromiset dhe heshtjet e tij i kanë kushtuar shqiptarëve dinjitet dhe forcë politike.
Shkupi ka qenë, është dhe do të mbetet përherë kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Tetova, Gostivari, Struga, Dibradhe Kërçova janë qytete me shumicë shqiptare dhe me vlera të veçanta, por asnjëri prej tyre nuk është kryeqendra e shqiptarëve. Kryeqendra është aty ku pushteti sfidohet, aty ku ndodh përplasja për barazi, aty ku shkruhet historia jonë politike në Shkup nga ku njerzit të afert të Ali Ahmerit po arratisën jo për vepra kombtare por për shkak që ishin kumbarë të Sasha Mihajkovit.