Punëtorët në sektorin privat dhe publik janë përballur me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve ekonomike dhe sociale gjatë vitit 2025-të, si pasojë e mosformimit të institucioneve të reja dhe funksionimit të vendit me Qeveri në detyrë për gati një vit, raporton Ekonomia Online. Përfaqësuesit sindikalë kërkojnë që Qeveria e ardhshme të veprojë menjëherë, duke vendosur në prioritet dialogun social, rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjeve të pazbatuara ndër vite.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se punëtorët janë lënë pa mbrojtje institucionale dhe se premtimet e dhëna që nga viti 2021 nuk janë realizuar.
Azemi ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit mbi 200 mijë të punësuar, kryesisht nga sektori privat, kanë emigruar, duke e cilësuar situatën si alarmante.
Ai ka ngritur shqetësimin edhe për moszbatimin e vendimit për pagën minimale, duke thënë se ka punëtorë që vazhdojnë të paguhen nën nivelin e miratuar, si dhe për vonesat e pagave në kompani publiko-private që financohen nga buxheti i shtetit.
“Për katër vite kemi mbi 200 mijë të punësuar, sidomos në sektorin privat, të ikur, andaj do të thotë nuk e di se ku mund të shkojë më keq. Gjendja është reale sepse ne vetëm sa po mund të mbijetojmë, përndryshe gjendja është jashtëzakonisht tepër e rëndë edhe sot, nëse ndalet, jemi në gjendje jashtëzakonisht shqetësuese. Me këto politika që janë duke i bërë si tërësi, realisht nuk shoh një përmirësim sepse tani deputetët janë mësuar me atë mendje të çoroditur që këta nuk japin llogari dhe nuk punojnë për ata që i zgjedhin, por punojnë për përfitime të tyre personale. Edhe sot kemi punëtorë që nuk po zbatohet vendimi i pagës minimale që është 350 euro, sot po marrin pagë 292 euro. Kemi punëtorë të sektorit privat që paguhen nga buxheti i shtetit, kompani publiko-private që me 3-4 muaj ditë nuk kanë marrë paga, shkaku i kokëfortësisë së njerëzve që i kemi brenda sistemit udhëheqës të shtetit”, tha ai.



