Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke folur për buxhetin e shtetit, ka akuzuar Qeverinë për ndarje politike. Bajrami është thirrur në ndarjen e buxhetit mes komunës së Lipjanit dhe Shtimes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo ka treguar se anipse komuna e Lipjanit është më e madhe se ajo e Shtimes, buxheti i ndarë është më i vogël, ku 1.8 milionë janë ndarë për investime kapitale në Lipjan ndërsa 8 milionë për Shtime.
“Ne e kemi parë që VV, ka pasur edhe në të kaluarën shpërndarje politike të buxhetit, mirëpo ajo çfarë shihet tash është tepër e theksuar. Ne kemi komunën e Lipjanit, që në terma të numrit të banorëve dhe në terma të territorit është më e madhe se komuna e Shtimës dhe nga ministritë e linjës në komunën e Lipjanit shkojnë vetëm 1.8 milionë investime kapitale, dnërsa në Shtime shkojnë rreth 8 milionë”, tha ajo në T7.
Bajrami theksoi se nuk është kundër buxhetit të ndarë për Shtimen, por tha se Ministria e Financave duhet ndarë mjetet e pashpërndara të saj nëpër komuna.
“Ne assesi nuk jemi kundër investimeve në Shtime, por në kohën kur Ministria e Financave i mban 271 milionë të pashpërndara është jashtëzakonisht keq që këto mjete nuk i shpërndan në të gjitha komunat e Kosovës”, deklaroi tutje Bajrami.
Buxheti për vitin 2023 është miratuar në lexim të parë sot në Kuvend.
Pas votimit në lexim të parë, projektbuxheti për vitin 2023 do të kalojë në Komision, ndërsa me amandamentet eventuale do të hidhet në votim edhe në lexim të dytë.
Siç kishte treguar vetë kryeministri Kurti, buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. /Reporteri.net/