Bashkimi Evropian shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“BE përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së, dhe u bën thirrje të gjitha partive që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në reagimin e Zyrës së Shtypit të BE-së.
Më tej theksohet se është e rëndësishme që të gjithë deputetët e zgjedhur të jenë në gjendje të sigurojnë ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës.
Bashkimi Evropian rikujton gjithashtu se legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e orientuara drejt BE-së dhe të ratifikojë marrëveshjet e pezulluara që lidhen me Planin e Rritjes, në dobi të popullsisë së Kosovës.


