2026/02/12
Banner Top
Besnik Krasniqi: LDK-ja po mban qëndrim kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së

Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke e akuzuar për qëndrim kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe për mosmbështetje ndaj Rezolutës që kërkon proces gjyqësor të drejtë nga Gjykata Speciale.

Sipas Krasniqit, qëndrimi i LDK-së u reflektua edhe në votimin e fundit në Kuvend, ku kjo parti nuk bashkoi votën me deputetët e tjerë për rezolutën lidhur me proceset në Hagë. Ai ka përmendur edhe kandidimin për deputet të Fadil Gecit në zgjedhjet e fundit, duke e lidhur këtë me dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Në reagimin e tij, Krasniqi ka rikujtuar edhe kundërshtimet e mëhershme të disa figurave të LDK-së ndaj financimit nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, duke përmendur një letër publike të nënshkruar nga një grup aktivistësh, ku ishte përfshirë edhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Krasniqi pretendon se qëndrimet e LDK-së tregojnë mungesë mbështetjeje për ish-udhëheqësit e UÇK-së, ndërsa debati për rolin e partive politike në raport me Gjykatën Speciale vazhdon të mbetet temë e ndjeshme në vend.

Ja shkrimi i tij i plotë:

Me e pyet LDK-në, ishin kalbë në burg Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Tregues i kësaj nuk është vetëm vendimi i sontëm që kjo parti të mos e bashkojë votën me 90 deputetë të Kuvendin, për Rezolutën që kërkon nga Gjykata Speciale që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

LDK-ja në zgjedhjet e fundit e ka përligjë dëshminë e Fadil Gecit në Hagë, duke e shpërbly atë si kandidat për deputet. Ai gjatë dëshmisë tha se Thaçi e ka shkru komunikatën 59 të UÇK-së, duke insistu se për këtë është bindë kur ka shku dhe e ka pa se çfarë familje ka Thaçi. Pra, kaq argumentues ishte.

LDK-ja e sotme s’do as të kenë mbështetje financiare nga shteti, të akuzuarit. Pasi Gjykata Speciale mori rrugë, një grup “aktivistësh”, përfshirë kryetarin e tashëm të LDK-së, Lumir Abdixhiku, bënë presion me anë të një letre për të mos dhënë fonde nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve, sepse “taksapaguesit e Kosovës nuk kanë dhe nuk duhet të ndjejnë përgjegjësi për të kaluarën e dyshimtë të disa bashkëqytetarëve të tyre”.

Banner Content