Dy dokumente të siguruara nga portali ynë tregojnë se kompania “Kosova Thëngjilli sh.a” në Obiliq ka lidhur kontratë me kompaninë serbe “Lider Pro DOO” për furnizim me qymyr nga Serbia. Marrëveshja është nënshkruar më 28 prill 2022 dhe mban vulat dhe nënshkrimet e të dyja palëve.
Kontrata parasheh importimin e 36 mijë tonëve qymyr të papërpunuar dhe 24 mijë tonëve qymyr të tharë. Dokumenti specifikon edhe çmimet. Qymyri i papërpunuar llogaritet me 20.48 euro për ton, ndërsa ai i tharë me 49.87 euro për ton. Vlera totale e kontratës arrin në 1 milion e 934 mijë euro.
Në marrëveshje thuhet se qymyri do të merret nga territori i Serbisë dhe do të ngarkohet në Sušari, ndërsa të gjitha shpenzimet e transportit i mbulon kompania blerëse. Afati i furnizimit është i paraparë të zgjasë shtatë muaj nga dita e nënshkrimit.
Dokumenti tjetër i bashkëngjitur përmban detaje për pagesat. Blerësi obligohet të paguajë avansin përpara dërgesave dhe të sigurojë dokumentacionin doganor në çdo kalim të kufirit.





