2026/02/13
Banner Top
Dorëhiqet Kathryn Ruemmler nga Goldman Sachs pas publikimit të dokumenteve që e lidhin me Jeffrey Epstein

Kryekëshilltarja ligjore e Goldman Sachs, Kathryn Ruemmler, paraqiti dorëheqjen mbrëmjen e së enjtes, pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i miliona dokumenteve që e lidhin me të dënuarin për vepra seksuale, Jeffrey Epstein.

 

Largimi i Kathryn Ruemmler, e cila ka shërbyer si këshilltare ligjore e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Barack Obama dhe si bashkëkryetare e komitetit për menaxhimin e reputacionit në Goldman Sachs, vjen në kuadër të një vale dorëheqjesh apo largimesh të drejtuesve të lartë që pasuan publikimin, më 30 janar, të rreth tre milionë dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë lidhur me çështjen Epstein.

Dorëheqja e saj, e cila do të hyjë në fuqi më 30 qershor, pasoi publikimin e dosjeve që përfshijnë korrespondencë elektronike ndër vite nga një person me emrin “Kathy Ruemmler”, i cili në mesazhe i referohej financierit tashmë të ndjerë si “xhaxhi Jeffrey”.

Në një email të vitit 2018, “Kathy Ruemmler” e falënderon Epstein për një dhuratë “të mrekullueshme dhe të menduar me kujdes”, ndërsa në një mesazh të janarit 2019 shkruan: “Sot xhaxhi Jeffrey më ka lënë pa fjalë! Çizme Jeffrey, çantë dhe orë”, duke përshkruar dhuratat që pretendohet se ka marrë.

Në një deklaratë me shkrim të dërguar me email mbrëmjen e së enjtes, ajo theksoi se “përgjegjësia ime është të vendos interesat e Goldman Sachs mbi gjithçka” dhe se “me keqardhje” e kishte njoftuar drejtorin ekzekutiv të bankës,David Solomon, për synimin e saj “për t’u larguar nga pozicioni i Chief Legal Officer dhe Këshilltare e Përgjithshme Ligjore” e bankës së Wall Street.

“Që kur iu bashkova Goldman Sachs gjashtë vite më parë, ka qenë privilegj për mua të kontribuoj në mbikëqyrjen e çështjeve ligjore, institucionale dhe rregullatore të kompanisë, të forcoj proceset e menaxhimit të rrezikut dhe të siguroj që ne të veprojmë në përputhje me vlerën tonë themelore të integritetit në gjithçka që bëjmë”, thuhet në deklaratë.

David Solomon, në një reagim të tijin, e cilësoi Ruemmler si një këshilltare të jashtëzakonshme ligjore gjatë gjithë mandatit të saj në bankë, duke theksuar se Goldman Sachs është “mirënjohëse për kontributin dhe këshillat e saj të mençura në një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme ligjore për kompaninë”. Ai shtoi se “si një nga profesionistet më të vlerësuara në fushën e saj, Kathryn ka qenë gjithashtu mentore dhe mike për shumë prej njerëzve tanë dhe do të na mungojë. E pranova dorëheqjen e saj dhe respektoj vendimin e saj”.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ruemmler, Jennifer Conley, deklaroi për CNN pas publikimit të emaileve se juristja e lartë “nuk ka bërë asgjë të gabuar”, “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se asgjë në dosje “nuk sugjeron të kundërtën”.

Sipas saj, Ruemmler “ka qenë e qartë dhe konsistente që në fillim: ajo e njihte atë në kuadër të punës së saj si avokate penale e mbrojtjes, kishin një klient të përbashkët, mori referime prej tij dhe mbajti një marrëdhënie miqësore brenda këtij kuadri profesional”. Panorama

Banner Content