NATO po shqyrton për herë të parë mundësinë e një goditjeje parandaluese kundër Rusisë, si përgjigje ndaj sulmeve hibride që Moska po kryen ndaj vendeve anëtare.
Lajmi është konfirmuar nga admiral Giuseppe Cavo Dragone, kreu i Komitetit Ushtarak të Aleancës, në një deklaratë për Financial Times.
Sipas gazetës, disa diplomatë të Evropës Lindore po kërkojnë që NATO të mos mjaftohet më me “shprehje shqetësimi”, por të japë një reagim të prekshëm dhe proporcional ndaj provokimeve ruse.
“Ne po studiojmë gjithçka… Në frontin kibernetik jemi mjaft reagues. Po vlerësojmë të jemi më agresivë ose proaktivë, në vend se vetëm reaktivë”, ka thënë Cavo Dragone.
Admirali ka shtuar po ashtu për të njëjtën gazetë britanike se një “sulm parandalues” mund të konsiderohet një “veprim mbrojtës”, por ka theksuar: “Kjo është më larg nga mënyra jonë normale e të menduarit dhe sjelljes”.
“Që të jemi më agresivë në raport me agresivitetin e palës tjetër mund të jetë një opsion,” ka vijuar Cavo Dragone, duke specifikuar se problemet mbeten “kuadri ligjor dhe kuadri juridiksional”.
Ai shtoi se Aleanca duhet të marrë në konsideratë veprim të vendosur: “Ndoshta duhet të veprojmë më agresivisht se kundërshtari. Pyetjet që mbeten janë të natyrës juridike dhe të kompetencave: kush do ta kryejë një goditje të tillë?”.
Tensionet e shtuara brenda NATO-s pasqyrojnë shqetësimin në rritje se sulmet hibride të Rusisë mund të rrezikojnë sigurinë kolektive dhe të kërkojnë një qasje më të ashpër se deri më tani.



