2026/02/04
Banner Top

Prishtinë- “Betimi për Drejtësi” ka siguruar konstatimet e ekspertëve në, ku konstatohet se qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) lidhur me dëmin, parregullsi në faturime e rritje të pajustifikuar kostos së ndërtimit të autostratës “Arbën Xhaferi”.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas konstatimit të ekspertëve, thuhet se kontrata për ndërtim të autostratës Prishtinë- Hani i Elezit ishte e tipit lump-sum, pra me çmim fiks. Aty thuhet se detyrimi kryesor financiar i punëdhënësit ka qenë pagesa në kohë, e punëve të certifikuara. Ekspertët konstatojnë se kishte devijim nga natyra me çmim fiks.

Tutje, sa i përket ekzekutimit të pagesave, thuhet se punët e certifikuara janë paguar në tërësi për periudhën 2014-2017 dhe se nuk është konstatuar ekzistencë e mospagesave të qëndrueshme që do të justifikonin pretendime për dëm financiar.

“Pra, nuk ka pasur mungesë reale fondesh në raport me punët e kryera”, thuhet në konstatimin e ekspertëve.

Ekspertët që përpiluan këtë ekspertizë Naser Rusinovci, Naim Gashi dhe Avni Zejnullahu, konstatojnë mungesë baze financiare për pretendime shtesë.

Sa i përket pretendimit se mungesa e fondeve ka shkaktuar vonesa në realizim të projektit, kjo sipas ekspertizës, nuk qëndron pasi që fondet e ndara kanë qenë ekuivalente me punët e kryera dhe të certifikuara. Andaj, ky pretendim del të jetë i paqëndrueshëm.

Më tutje, thuhet se zgjatja e afatit për përfundimin e punimeve nuk ka krijuar të drejtën për kompensim.

Ekspertët konstatojnë se kërkesa për kompensim nga shuma fillimisht 63 milionë në 53.1 milionë, është e pabazuar. Aty theksohet se variacionet kanë prodhuar rritje artificiale të kostos.

Gjithashtu, në ekspertizë është konstatuar se pagesat e bëra për punët jashtë kontratës janë bërë pa bazë ligjore, ngase ishin pa aneks-kontratë të vlefshme, pa çmim të miratuar dhe shumica pas skadimit të kontratës bazë.

Më tej, ekspertiza ka konstatuar se ka tejkalim të pragjeve të ndyshimit kontraktual.

Ekspertiza ka konstatuar se ka pasur parregullsi edhe në faturim dhe ekzekutim të pagesave.

“Pra ekspertimi konstaton se kemi parregullsi serioze në faturim dhe ekzekutim financiar”, thuhet në konstatimin e ekspertëve.

Gjithnjë sipas ekspertizës, praktikat e ndjekura gjatë realizimit të projektit kanë rezultuar me devijim nga kontrata EPC me çmim lump sum, rritje të pajustifikuar të kostos së projektit dhe transferim të rrezikut financiar të buxhetit publik

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment