2026/01/07
Banner Top
Gazeta zvicerane zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Solothurn: Vite të tëra s’u mor vesh asgjë

Gazeta zvicerane  “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, ka publikuar sot një artikull në të cilin zbulohet se shteti Zviceran ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç shkruan gazeta zvicerane, në këto takime ka marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq.

NZZ”-ja raporton se për vite me radhë nuk është zbuluar asgjë rreth këtyre bisedimeve joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ka pasur disa raportime nga vetë “NZZ”-ja në vitin 2022 për takime politikanësh në qytetin e Solothurn në Zvicër. Edhe gazeta “Blick” ka raportuar në nëntor 2025 gjithashtu.

“Megjithatë, deri më tani nuk dihej publikisht në Zvicër se ministrat nga të dyja palët merrnin pjesë rregullisht. Sipas disa burimeve, midis tyre ishin zv.kryeministri kosovar Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe Ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Gjuriq”, raporton “NZZ”.

Se këto takime janë organizuar, e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës.  Roland Salvisberg nga MPJ e Zvicrës ka treguar se këto takime organizohen dy tre herë në vit.

“Dialogu që nga fillimi ka pasur për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve midis figurave kryesore nga të gjitha partitë kryesore serbe dhe kosovare”, thotë Roland Salvisberg, kreu i seksionit përgjegjës në Divizionin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut të FDFA-së.

Ai ka sqaruar se në këto takime, secila palë vendos në mënyrë të pavarur se kë të dërgojë.

Në këto takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë ka marrë pjesë edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Nga MPJ-ja e Zvicrës kanë thënë se këto janë negociata plotësuese të atyre që drejtohen nga Bashkimi Evropian.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment