Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi sot masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit.
Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Eduard Elezi.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është nën hetim nga SPAK për procedurën e tenderit për ndërtimin e lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Tenderi, i hapur më 16 gusht 2021 dhe i shqyrtuar më 15 shtator 2021, u fitua nga konsorciumi “Euroteorema Peqin” shpk – “Pe-Vla-Ku” sh.p.k – “Nova Construction 2012” shpk me një ofertë prej 19.9 milionë euro pa TVSH, vetëm rreth 5% më pak se fondi limit prej 21 milionë eurosh të përcaktuar nga ARRSH.
Hetimi është ngritur pas shqyrtimit të procedurës, ku të gjithë operatorët e tjerë konkurues u skualifikuan, përfshirë edhe ofertën më të ulët ekonomikisht.

Operatorët e përjashtuar përfshinin A.N.K. Shpk, ALB – STAR Shpk, “Gurri” Shpk & “Vëllezërit Hysa” Shpk & “BE-IS” Sh.p.k, CECI Shpk, Kevin Konstruksion Shpk dhe Met-Engineering Shpk, çka ngre dyshime për paracaktim të fituesit dhe shkelje të barazisë në tendera.
Ky hetim shtohet mbi rastet e mëparshme që lidhen me Ballukun, përfshirë tenderin e tunelit të Llogarasë, ku ajo dyshohet për përfshirje në paracaktimin e fituesve dhe shkelje të barazisë midis pjesëmarrësve.
SPAK vijon hetimet për të zbardhur rolin e ministres dhe vartësve të saj në favorizimin e kompanive të caktuara gjatë procedurave të tenderave publikë./VoxNews



