sh-kryeministri Avdullah Hoti në EURO n’T7 ka thënë se që prej shpalljes së pavarësisë e këndej, edhe pse kishim buxhet shumë më të vogël krahasuar me tash, u bënë shumë investime të mëdha në infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
“Rrjeti i shkollave të cilat ishin të shkatërruara tërësisht u ndërtuan. Disa qeveri investuan qindra miliona në shkolla, pastaj në infrastrukturë, shëndetësi, në energji duke krijuar një stabilitet energjetik. Ne e nxorrëm ekonominë nga një ekonomi totalisht e shkatërruar në një ekonomi që ishte konkurruese me ekonomitë në rajon. Vit pas viti është përmirësuar struktura ekonomike”, ka thënë Hoti.
Hoti, i cili ishte deputet i LDK-së në shumë legjislatura, ka shtuar se reformat në ekonomi të bëra nga qeveritë e kaluara dhe investimet e mëdha kapitale kanë bërë që të rritet prodhimi vendor, dhe kjo ka kulmuar në qeverinë e Isa Mustafës.
“Reformat që janë bërë në këtë kohë, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përmirësimi i strukturës ekonomike kanë bërë hapjen e ekonomisë për zhvillim afatgjatë. Në qeverisjen Mustafa i kemi përfunduar projektet më të mëdha infrastrukturore të nisura nga qeveritë e mëhershme, siç janë autostradat; kemi nisur investimet në hekurudha nga Hani i Elezit deri në veri dhe kemi filluar studimin e fizibilitetit të hekurudhës nga Klina deri në Prizren dhe segmente të tjera të hekurudhave”, ka shtuar Hoti.
Ndërkohë, që prej 2021 e këndej, sipas ish-kryeministrit Hoti, gjithçka u bllokua.



