Mimoza Rexhevelaj
I dua dhe i admiroj të gjitha femrat, që nuk presin asgjë prej askujt dhe këtë e bëjnë, jo sepse janë krenare, por sepse kanë mësuar se jeta nuk u detyrohet për asgjë.
Ato nuk presin që rasti t’u trokasin në derë, nuk luten që dikush t’i shohë, nuk varen nga miratimi i askujt. Shkojnë dhe marrin atë që duan me dinjitet, jo me arrogancë. E dinë se çdo gjë që mbetet pezull për shumë kohë, venitet, prandaj veprojnë…
I dua ato që dalin pa u lyer dhe ndihen të bukura gjithsesi. Bukuria e tyre nuk është tek ngjyrat,është mënyra si shikojnë, si ecin, si flasin pak, por drejt. Ato e dinë se feminiteti nuk matet me shikime, por me qetësinë që sjell praninë e tyre.
I dua ato që nuk tregojnë shumë për veten, sepse kanë kuptuar se njeriu që flet pak, sheh më shumë. Ato nuk tregojnë sesi janë, por u mësojnë të tjerëve si të jenë, të qëndrueshëm, të ndershëm, të vërtetë.
Në heshtjen e tyre ka më shumë mësim, sesa në çdo fjalim…
Pastaj janë ato që ecin me kokën lart, me një krenari plot madhështi njerëzore dhe këtë e bëjnë pa zhurmë dhe pse shumë herë kanë rënë përtokë janë rigritur fuqishem duke u mbështetur tek vetja.
Ato e dinë që dinjiteti është armë e heshtur e forcës, kur bota do t’i fundosë, ato buzëqeshin me një lloj ironie të qetë, si të thoshin: “E di që edhe kjo do kalojë.”
I dua edhe ato që thonë “të dua” pa frikë, sepse dashuria e tyre nuk është kontratë as bonus thesari, por një dhuratë plotë mirësi, që kurrsesi nuk duhet marrë për dobësi…
Nuk llogarisin kush dha më shumë, kush u kthye mbrapsht. E japin dashurinë sepse s’mund të bëjnë ndryshe, dashuria për to është mënyrë e të jetuarit.
E më së shumti, i dua ato që kanë shumë dashuri brenda dhe padashur ia japin edhe personit të gabuar dhe këtë nuk e bëjnë se janë naive, por ato e dinë mirë se të mos dashurosh fare është më e dhimbshme se të dashurosh gabim…
Këto femra vlejnë!
Vlejnë jo për atë që tregojnë, por për atë që fshehin mes stuhive të jetës.
Vlejnë jo për atë që kërkojnë, por për atë që japin, pakushte, pa pritur t’u kthehet e njëjta vlerë.
Vlejnë sepse ato s’kanë nevojë të tregojnë forcën, mjafton që e kanë dhe kur ecin përmes botës, e gjithë bota e ndien se po kalon dikush që e njeh veten dhe e di që aroma e saj do të mbetet milje larg në kujtesën e kohës….