Prishtinë- Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ashpër ndaj vendimit të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv të një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të cilët, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kanë nxjerrë vendim për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi. Ky vendim vjen me fillimin e zbatimit dhe efekteve të para të reformës në KPK që synon ta luftojë korporatizmin brenda këtij institucioni.
Vendimi për shkarkimin e z. Kelmendi është përpjekje për të ruajtur përbërjen korporatiste dhe kontrollin e sistemit prokurorial nga grupi i stërvjetëruar i interesit brenda sistemit prokurorial.
Në mbledhjen e së enjtes të KPK-së, anëtarja Jehona Grantolli propozoi shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Për këtë, reaguan pesë (5) anëtarë të KPK të cilët e lëshuan mbledhjen, ashtu që KPK mbeti pa kuorum për vendimmarrje. Pas kësaj situate, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, konstatoi mungesën e kuorumit dhe mbylljen e takimit, ndërsa transmetimi i mbledhjes u ndërpre.
Megjithatë, pas mbylljes së takimit dhe ndaljes së transmetimit të mbledhjes, pesë (5) anëtarët e mbetur të KPK-së, të cilët nuk përbëjnë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, u rikthyen në takim. Përkundër pamundësisë ligjore për të mbajtur mbledhjen, ata nxorën një vendim të kundërligjshëm dhe arbitrar për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit dhe caktimin e një U.D. tjetër në këtë pozitë.
Kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj.
Përderisa me këtë përbërje të KPK, kuorumi minimal i vendimmarrjes është të paktën gjashtë (6) anëtarë, pa të cilët nuk mund të mbahet mbledhja, mbajta e takimit dhe nxjerrja e vendimit për shkarkimin dhe caktimin e ri të U.D. Kryeprokurorit, në mungesë të kuorumit, është një vendim abuziv i një pjese të anëtarëve të KPK, që nuk kanë shumicën e nevojshme për mbajtjen e takimeve të KPK dhe aq më pak për vendimmarrje.
Sipas Plotësim Ndryshimit të Ligjit për KPK, përbërja e KPK do të reduktohet nga 13 në shtatë (7) anëtarë. Ky reduktim është menduar që të ndodhë gradualisht, duke ruajtur mandatin e fituar të të gjithë anëtarëve të KPK. Në janar të vitit 2026, pesë (5) prej anëtarëve të KPK përfundojnë mandatin. Nisur nga fakti se sistemi prokurorial me 01 nëntor 2025 ka zgjedhur një anëtar të ri, i bie se përbërja e KPK do të reduktohet në gjashtë (6) anëtarë, ku edhe një (1) anëtar tjetër mbetet të zgjedhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Katër nga pesë anëtarët që sot në mënyrë të kundërligjshme dhe abuzive shkarkuan U.D. Kryeprokurorin, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026. Nisur nga kjo situatë dhe diskutimet paraprake të KPK në lidhje me zgjedhjen e një anëtare të re në KPK, kjo situatë është tentativë e hapur e grupit të interesit brenda KPK për të ruajtur përbërjen korporatiste, me të cilën ka qeverisur tash e mbi një dekadë.
Për këto zhvillime, Zyra e Bashkimit Evropian (ZBE) e kishte paralajmëruar KPK, duke theksuar se nëse situata si kjo e sotmja ndodhin, Bashkimi Evropian do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi.
“Megjithatë, ndërkohë që jemi në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ri si edhe rishikimit vijues nga Komisioni i Venedikut në qershor, jam njoftuar për disa zhvillime për keqardhje. E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e qartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Nëse këto nisma çohen përpara, BE-ja do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi”, thuhej në letrën e Ambasadorit Aivo Orav dërguar më 28.05.2025 për anëtarët e KPK-së.



